English

Studim/ Gratë Po Dominojnë Në Vendimmarrjet Brenda Familjes

-Dhuna ndaj gruas tolerohet më shumë në zonat rurale - TIRANE, 21 Qershor/ATSH-Erla Gjikolli/.- Gratë shqiptare përherë e më shumë po dominojnë vendimmarrjet brenda familjes, duke dëshmuar kërkesë për rritjen e pozicionit të tyre. "Më shumë se 83% e grave të martuara, të cilat fitojnë para, vendosin me bashkëshortin si t'i përdorin paratë", tha për ATSH-në Lantona Sado, koordinatore e Studimit më të ri Demografik dhe shëndetësor në Shqipëri, (ADHS), i realizuar nga INSTAT. Duke iu referuar studimit të kryer me një grup përfaqësues prej rreth 9,000 familjesh të përzgjedhura nga rajoni bregdetar, qëndror, malor dhe Tirana urbane, Sado tregon se "8% e grave vendosin vetë për blerjet brenda familjes, po ndërkohë rezulton se për 9% të grave, është kryesisht bashkëshorti që vendos se si të përdoren paratë që fiton gruaja". Sipas të dhënave, 85% e grave marrin pjesë në vendimet për kujdesin e tyre shëndetësor, ndërkohë që dy në tre femra (66%) shprehen se këtë lloj vendimi e marrin së bashku me bashkëshortin. Studimi e vlerëson pozitiv faktin që 86% e burrave të martuar pranojnë se gruaja dhe burri duhet të jenë në një mendje kur vendosin për numrin e fëmijëve që do të kenë. Në lidhje me qëndrimin ndaj dhunës kundër gruas, rezulton se gratë dhe vajzat në zonat rurale e tolerojnë këtë fenomen, ndërsa kanë dy herë më shumë gjasa se sa femrat në zonat urbane që t'a përligjin atë. Por në këtë drejtim, vihet re ndryshim mentaliteti sipas grup-moshave të pyetura. Kështu femrat e moshës 15-19 vjeç, ndryshe nga ato me mosha më të mëdha, nuk bien dakord që një bashkëshort të justifikohet kundrejt rrahjes së bashkëshortes së tij. Nga ana tjetër, gratë e punësuara me pagesë (17 %) kanë shumë më pak gjasa ta përligjin rrahjen e bashkëshortes se sa femrat që punojnë vetëm në shtëpi. Rreth 34 % e grave të martuara janë dakord me të paktën një arsye që e toleron rrahjen e bashkëshortes, krahasuar me 22 % të femrave të pamartuara ndonjëherë dhe 25 % të femrave të martuara më parë. Studimi evidenton se përqindja e femrave që e përligjin rrahjen e bashkëshortes, rritet me numrin e fëmijëve që kanë nga 23 % mes atyre pa fëmijë, në 57% të atyre që kanë 5, apo më shumë fëmijë. Ndërkohë, rreth një në katër meshkuj pranojnë se një burrë ka të drejtë të godasë gruan, nëse ajo del pa i thënë atij, ose lë pas dore fëmijët (përkatësisht 24% dhe 23%) dhe 18% e burrave të pyetur mendojnë se goditja e gruas është e justifikuar, nëse gruaja grindet me bashkëshortin e saj. Studimi më i ri Demografik dhe shëndetësor në Shqipëri, (ADHS) u krye nga INSTAT dhe Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), nën drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, me mbështetjen financiare të USAID, Zyra Zviceriane për Bashkëpunim në Shqipëri (SCO-A), UNICEF, UNFPA, OBSH dhe Agjensia Spanjolle për Zhvillim dhe Bashkëpunim (AECID). Studimi ka mbledhur të dhëna mbi treguesit bazë të demografisë dhe shëndetit, veçanërisht mbi lindshmërinë, planifikimin familjar, të ushqyerit, vdekshmërinë foshnjore dhe asaj të fëmijëve, shëndetin e nënës dhe të fëmijës, dhe njohuritë e sjelljet ndaj HIV./n.m/
KOMENTE