English

Turqi - Shefi I Ushtrisë Shprehet Për Durim Përballë Rebelëve Kurdë

ANKARA, 21 qershor /ATSH-AFP/ - Shefi i ushtrisë turke këshilloi sot për durim në luftën kundër rebelëve kurdë pas sulmeve të përgjakshme gjatë fundjavës, njoftoi agjencia Anadolli. "Jemi plotësisht të vendosur për të luftuar organizatën terroriste deri sa ajo të zhduket. Kjo luftë është e gjatë dhe kërkon durim", deklaroi gjenerali Ilker Basbug. Dymbëdhjetë ushtarë turq janë vrarë në fundjavë gjatë sulmeve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK në juglindje të vendit. Shefi i ushtrisë shtoi se lufta kundër rebelëve duhet të shoqërohet me masa sigurie dhe iniciativa ekonomike në favor të komunitetit kurd që ka rreth 15 milionë persona në një popullsi prej rreth 73 milionë banorë. Megjithatë, ai theksoi se "do të ishte e gabuar të mendohet se terrori do të zhduket vetëm duke marrë masat e duhura në fushat ekonomike dhe socio-kulturore, për sa kohë organizata terroriste mban në radhët e saj elementë të armatosur". Sulmi kryesor kundër forcave turke gjatë fundjavës u krye të shtunën në mëngjes herët kundër një detashmenti sigurie në kufirin me Irakun. Aviacioni turk u kundërpërgjigj duke ndërmarrë një sulm kundër prapavijave të PKK-së, në veri të Irakut. Ushtria turke ndërmori gjithashtu një mësymje tokësore duke hyrë deri 10 kilometra në territorin irakian gjatë natës duke u gdhirë dita e diel dhe duke vrarë, sipas autoriteteve irakiane, katër persona. Ky sulm tokësor, i dyti brenda pesë ditëve, u dënua nga Bagdadi. Ai nuk është konfirmuar nga ushtria turke. /I.Pu.
KOMENTE