Turqia Dhe Kazakistani Diskutojnë Për Një Plan Veprimi Për Kirgistanin
ANKARA, 21 qershor /ATSH-AFP/ - Turqia dhe Kazakistani diskutuan për një plan veprimi përsa i përket një ndihme rajonale për Kirgistanin, që është përfshirë kohët e fundit nga dhuna ndëretnike, konfirmoi sot shefi i diplomacisë turke, Ahmet Davutoglu, cituar nga agjencia e lajmeve ''Anadolli Azhans''.
"Mbajtja e referendumit konstitucional më 27 qershor është shumë e rëndësishme për ne me qëllim që administrata aktuale e përkohshme të jetë legjitime nga populli", deklaroi Davutoglu pas bisedimeve me presidentin kazak, Noursoultan Nazarbaiev dhe homologun kazak, Kanat Saoudabaiev.
''Bisedimet u përqendruan mbi aspekte diplomatike, ekonomike dhe në aspektin e dhënies së ndihmës për siguri nga vendet e rajonit për Kirgistanin'', theksoi ai duke shtuar se çështja mbetet për t'u diskutuar me vendet e tjera mike.
Ahmet Davutoglu njoftoi se kishte parashikuar të shkonte në Kirgistan sëbashku me Saoudabaiev pas referendumit nëse e lejojnë kushtet për të biseduar drejt për drejt me popullin dhe për të parë kushtet nëse mund të ndërmerret një plan veprimi./
/ec/ a.jor.