Prishtinë, 21 qershor, NOA - Unioni i Gazetarëve të Kosovës organizoi sot tryezë me temën “Gazetaria nacionale”, në të cilën morën pjesë profesor universitarë, analistë të mediave, gazetarë me përvojë dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile.
Remzie Hoxhaj, ligjëruese e etikës në Degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, tha se përgjegjësia e gazetarit në gazetarinë kombëtare është shumë e madhe, sepse siç tha ajo, jep imazh për vendin edhe në botë.
“Përgjegjësia e gazetarëve sidomos në gazetarinë nacionale është shumë e madhe sepse përveç opinionit publik që krijohet në kuadër të një vendi, ata e krijojnë krijimin e opinionit publik edhe në vendet tjera, vendet fqinje dhe vendet e tjera të përfshira në rastin e Kosovës. Sidomos në këtë kohë kur Kosovës është vendi më i ri në botë”, theksoi ajo.
Ajo ka theksuar më tej se mediat duhet të kenë një etikë të lartë profesionale në mënyrë që të dërgojnë dhe ta sqarojnë të vërtetën te opinioni publik.
“Mediat shpesh herë përgjegjësinë e argumenteve se a ka qenë një lajm i mirë apo i keq, i drejt apo i padrejtë ua lënë lexuesve”, theksoi ajo.
Nga ana tjetër, edhe profesori dhe shefi i degës së Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi theksoi se gazetaria kombëtare duhet të vendoset në një terren i cili do të krijonte raporte mes shtetit dhe kombit.
“Nëse dikush në Kosovë shkruan kundër korrupsionit nuk mund të trajtohet si tradhti po është gazetari nacionale sepse interesi i Kosovës dhe i shqiptarëve është tamam luftimi i kësaj dukurie. Pra nga kjo pikëpamje mendoj se gazetarinë nacionale duhet ta matim me angazhimin e saj për të ndriçuar problemet e shoqërisë dhe shteti e kombit tonë”, theksoi Krasniqi, duke shtuar në këtë kontekst se gazetaria kombëtare asnjëherë nuk duhet të dalë jashtë sferës së saj sepse rrezikon vetveten.
n.e/NOA