Vlorë: Mot Me Reshje Shiu, Temperaturat Në Rënie
VLORË, 21 Qershor/ATSH-H.Koçi/.-Kushtet e paqëndrueshme meteorologjike, që kanë përfshirë prej tre ditësh gjirin detar të Vlorës, do të vazhdojnë të jenë të tilla edhe sot. Moti do të jetë me vranësira të dendura dhe reshje shiu, që nisën intensivisht orët e mëngjesit dhe që parashikohet të vazhdojnë me ndërprerje gjatë gjithë ditës. Vlerat e temperaturave do të shënojnë një ulje të mëtejshme krahasuar me një ditë më parë.
Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se, sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Perëndim-Jugperëndim, me shpejtësi nga 6-8 m/sek, deri në 10-12 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 26-28 gradë celcius dhe ato minimale në 16-18 gradë celcius. Valëzimi parashikohet të jetë 2-3 ballë brenda gjirit detar dhe 5-6 ballë në det të hapur. /s.s./