English

Zhvillohen Konsultime Diplomatike Mes Ministrive Te Puneve Te Jashtme Te Shqiperise Dhe Serbise

TIRANE, 21 Qershor/ATSH/- Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi dhe homologu i saj i Sërbisë, Zdravko Ponosh zhvilluan sot në Tiranë konsultimet e para diplomatike midis Republikës së Shqiprisë dhe Republikës së Serbisë. Burime të ministrisë së Punëve të Jashtme bëjnë të ditur për ATSH-në, se dy zv/ministrat e Punëve të Jashtme, Harxhi dhe Ponosh ndanë mendimin e përbashkët, se marrdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë të një rëndësie të veçantë për të dy vendet dhe se zhvillimi i tyre pa paragjykime, do të ishte një kontribut për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit. Pavarësisht diferencave në lidhje me çështjen e Kosovës, palët ranë dakort të ecin përpara në marrëdhëniet midis tyre në të gjitha fushat me interes reciprok. Marrëdhëniet politike së bashku me dialogun politik u vlerësuan si shumë të rëndësishme për t'i hapur rrugën zhvillimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok. Duke e vlerësuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar si një element thelbësor në marrëniet midis dy vendeve, palët ranë dakort për të intensifikuar përpjekjet respektive në nxitjen e interesit të operatorëve publik dhe privat për më shumë investime dhe shkëmbime tregtare. Fusha të tjera me interes për bashkëpunim u vlerësuan energjia, infrastruktura, transporti, turizmi, agrobiznesi, arsimi, shkenca, kultura dhe shëndetësia. Palët diskutuan edhe në lidhje me perspektivën e Luginës së Preshevës si dhe mbi nxitjen e shkëmbimeve njerëzore. Janë në proces midis palëve një sërë marrëveshjesh dhe protokollesh bashkëpunimi, pjesa më e madhe e të cilave pritet të nëshkruhen së shpejti si: marrëveshja për riatdhesimin, marrëveshja në fushën e transportit, marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave universitare, etj. U vlerësua gjithashtu edhe bashkëpunimi në kuadër të integrimit evropian të të dy vendeve. Bashkëbiseduesit ranë dakort se bashkëpunimi dhe forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, do t'i shërbejë çuarjes përpara të proceseve integruese rajonale dhe evropiane, si edhe vetë stabilitetit në rajon./n.m/
KOMENTE