English

Arrestohet polici i burgut të Peqinit, u dënua në Itali me 8 vjet burg për prostitucion

Peqin, 22 Qershor, NOA – Rezultonte i dënuar në Itali me 8 vite burg për ushtrim prostitucioni, përdhunim e trafik të miturish dhe jo vetëm që nuk ishte kapur nga policia, por madje punonte në një institucion ku të ndaluarit vuajnë dënimin e tyre.

Fjala është për një punonjës policie që shërben në burgun e Peqinit, me emrin Dritan Maçi, 44-vjeç, i cili rezultonte si i shumëkërkuar nga policia italiane për shumë vepra penale të kryera prej tij vite më parë në vendin fqinj.

Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime policore të Elbasanit, sipas të cilave, sot është mundësuar arrestimi në flagrancë i tij, pasi gjykata e këtij rrethi ka vendosur masën e sigurisë "arrest në murg" me qëllim njohjen e një vendimi penal të huaj.

Konkretisht, ky person është dënuar në shtetin italian me 8 vite burg për veprat penale "Trafikim i të miturve me qëllim shfrytëzim prostitucioni", "Shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese" dhe "Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeçe", të cilat parashikohen respektivisht nga nenet 128, 114 dhe 101 të Kodit Penal.

Mësohet se këto vepra penale janë kryer nga ky person në shtetin italian në periudhën e viteve 1999-2001 dhe për to, ai është dënuar atje me tetë vite burg.

n.e/NOA

KOMENTE