English

Asgjësimi I Municioneve/Ministria E Mbrojtjes Cakton Distancat E Sigurisë

TIRANË, 22 Qershor/ATSH/.- Ministria e Mbrojtjes, do të përcaktojë në përputhje me standardet e asgjësimit të municioneve, distancat e sigurisë nga instalimet e shpimit dhe të shfrytëzimit të naftës, qendrat e banuara, rezervuarët, digat dhe vendet me rezerva të burimeve nënujore, si dhe korridoret e hyrjes e të daljes së aviacionit civil në hapësirën ajrore të vendit. Disa ndryshime në ligjin "Për përcaktimin e poligoneve të asgjësimit të municioneve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë', propozuar nga Ministria e Mbrojtjes, u miratuan sot nga deputetët e komisionit parlamentar të Sigurisë. P/ligji saktëson se për përcaktimin e distancave të sigurisë ekspertë e Ministrisë së Mbrojtjes bashkëpunojnë me institucione të tjera përgjegjëse shtetërore. Drafti bën disa ndryshime dhe për vendet ku bëhen asgjësimet e municioneve. Kështu sanksionohet se poligonet për asgjësimin e barutit të FA-së bëhen në Xibrakë të Elbasanit dhe në poligonin Lumi i Oltës në Gramsh. Gjithashtu bëhen disa ndryshime në funksionimin e poligonit Kepi i Skënderbeut, që ndodhet në Mat, në poligonin Zharrë të Tepelenës, poligonin Mali i Tërpanit në Berat dhe poligonin Qafa e Barit në Labinot Mal. Ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes të pranishëm në komision theksuan rëndësinë që ka shtimi i numrit të poligoneve për asgjësimin e municioneve të tepërta, me qëllim përmbushjen e objektivit të qeverisë për përfundimin e këtij procesi brenda vitit 2013. Specialistët sqaruan gjithashtu, se poligonet e zgjedhura për asgjësim municionesh respektojnë të gjitha distancat e sigurisë nga ndërtesat e ndryshme e sidomos ato të banuara, distanca që janë hartuar në përputhje me standardet e sigurisë së vendeve anëtare të NATO dhe për to është marrë ekspertiza e SHBA-së, Anglisë dhe Italisë./a.s/ /a.ke/
KOMENTE