Ky aktivitet u mbështet edhe nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA e cila ishte sponsore zyrtare e evenimentit
Lezhë, 22 Qershor 2010 NOA – Mijëra banorë të Lezhës, SHëngjinit, Laçit dhe zonave përreth mbushën sheshin “Skanderbeg” të qytetit të Lezhës dhe Teatrin, në evenimentin kulturor “Nata e Bardhë e Kulturës Shqiptare”, organizuar nga bashkia e këtij qyteti në bashkëpunim me Universitetin Evropian të Turizmit dhe mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Koncerti festiv u zhvillua në shoqërinë edhe të një panairi me produktet tipike të kësaj zone si edhe frutin tradicional, shegën. Duke folur për spektaklin, kryetari i Bashkisë së Lezhës, z.Viktor Tushaj tha: “Lezha e meriton zhvillimin e një aktiviteti të tillë.
“Lezha është një qytet mjaft i rëndësishëm i cili ka pasuri të mëdha natyrore, por edhe kulturore, të cilat vlejnë të vihen në pah, për të zhvilluar në këtë mënyrë turizmin e qëndrueshëm", - tha Tushaj.
Kurse rektori i EUFT tha se "Lezha është një qytet që ka shanse mjaft të mëdha për të zhvilluar turizmin si të tillë në territorin e saj".
"Dhe bashkëpunimi i Universitetit Evropian të Turizmit, ka pikërisht si qëllim kryesor realizimin e pikave të një strategjia që presupozon zhvillimin e turizmit në të gjithë vendin”, - u shpreh rektori i këtij universiteti, prof. Dr. Salvatore Messina, duke prezantuar qëllimin pse u zhvillua në Lezhë, “Nata e Bardhë e Kulturës Shqiptare”.Ndërsa për Klodian Pajunin, drejtor i Përgjithshëm i Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, “Nata e Bardhën e Kulturës Shqiptare është një aktivitet i nivelit maksimal, ashtu siç arriti të realizohet edhe ai në kuadrin e nismës “Shqipëria është Kulturë”, në parkun arkeologjik të Apolonisë në Fier”.
Z.Pajuni tha se “Nata e Bardhë e Kulturës Shqiptare” bën të mundur faktin që të dalin në pah sa më shumë bukuritë dhe elementët e veçantë turistik që zotëron qyteti i Lezhës, duke e kthyer atë për një natë në kryeqytetin e gjithë Shqipërisë, për nga vetë përmasat dhe rëndësia që do të ketë ky eveniment kulturor”.
Në spektakël, u duartrokit shumë Festivali i Shegës me pjesëmarrjen e qyteteve krijuese: Shega Lezhjane, Struga, Ulqini, Dibra, Puka, Mirdita, Kurbini, Tropoja, Tirana dhe Prishtina. Nata e Bardhë e Kulturës Shqiptare vijoi me fituesit e konkursit “Shqipëria është Kulturë” në muzikë, kërcim, aktrim, pantonimë etj.
Ky aktivitet u mbështet edhe nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA e cila ishte sponsore zyrtare e evenimentit.
r.n/NOA