Tiranë, 22 Qershor, NOA – “Hapat e hedhura deri tani mbi zbatimin e reformave dhe kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian, do të konkretizojnë së shpejti liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës”.
Një fakt të tillë e ka theksuar sot gjatë një konference rajonale për migracionin, mbajtur në Tiranë, ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, duke theksuar se një rëndësi mjaft të madhe për këtë ka edhe hartimi i një strategjie të posaçme për trajtimin e të rikthyerve.
“Sikundër, ne kemi edhe një qendër operacionale detare e cila vepron me sukses në Durrës”, shtoi ai.
Sipas Bashës, “qytetarëve të rajonit të Ballkanit tani po u ofrohet lëvizja e lirë edhe prandaj po shtohet përgjegjësia e vendeve për ta organizuar më mirë luftën kundër krimit, korrupsionit dhe trafiqeve”.
“Në këtë kuadër, disa fenomene të shfaqura menjëherë pas liberalizimit siç ishte ajo e kërkimit të azilit politik, u ndoqën me kujdes nga vendet përkatëse, pa u kthyer në motive dekurajuese për liberalizimin e vizave”, tha ai në vijim të kësaj ideje, duke pohuar më tej se edhe Shqipëria u tregua mjaft e vëmendshme ndaj këtyre zhvillimeve për t’iu paraprirë nëse ndodhin edhe me qytetarët e saj, kur të hiqet regjimi i vizave me Bashkimin Evropian.
n.e/NOA