Berisha Takon Legjendën E Atletikës Botërore, Sergey Bubka
TIRANË, 22 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha takoi sot një nga figurat më të shquara botërore të sportit, ish- kampionin legjendar të atletikës, Sergey Bubka, që ndodhet në Tiranë për të mbështetur dhe promovuar organizimin në Shqipëri të Kampionatit Botëror të "Vrapimit në Mal", në 2011.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, vizitën e tij të parë në Shqipëri, z. Bubka e zhvillon në cilësinë e Zv/Presidentit të Komitetit Olimpik Botëror dhe Zv/Presidentit të Federatës Botërore të Atletikës IAAF.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që Shqipërinë e vizitonte një figurë kaq legjendare e sportit botëror, një atlet, i cili ka qenë dhe është shembull frymëzimi për breza të rinjsh të apasionuar pas atletikës.
Ai falënderoi z. Bubka dhe z. Bruno Gozzellino, President i Federatës Botërore së Vrapimit në Mal, që kishin zgjedhur Shqipërinë për këtë eveniment me përmasa të tilla botërore, ndërsa theksoi se "qeveria shqiptare do të mbështesë gjerësisht këtë eveniment kaq të rëndësishëm, si dhe do të vazhdojë të mbështesë sportin shqiptar dhe afrimin e sa më shumë të të rinjve me të".
Ndërsa Sergey Bubka shprehu bindjen se ky eveniment me përmasa botërore që pritet të organizohet në Shqipëri, do të përbëjë një iniciativë të shkëlqyer për promovimin e turizmit shqiptar, të bukurive dhe potencialeve të vendit, si dhe do të jetë një organizim që do të përfshijë mijëra të rinj, të apasionuar pas atletikës.
Në përfundim të takimit, Bubka u shpreh se do të vinte përsëri me shumë kënaqësi në Shqipëri dhe do të ndiqte personalisht Kampionatin Botëror të "Vrapimit në Mal". Ai i dhuroi Kryeministrit Berisha një punim artistik në bakër, me simbolikën e rekordeve të tij botërore në kërcimin me shkop dhe me autografin e tij.
Sergey Bubka, legjenda e sportit të atletikës, nga Ukraina, mbajtës i titullit kampion bote në kërcimin me shkop për vitet 1983-1999, rekordmen botëror për 35 herë, pas largimit nga sporti aktiv, ka një karrierë të gjatë në politikë dhe biznes. Ai ka qenë pjesë e Parlamentit të Ukrainës në vitet 2002-2006, pjesë e Kabinetit të Ministrave të Ukrainës në vitet 2002-2005 dhe së fundi, është Këshilltar për Sportet i Presidentit të Ukrainës./m.m//a.ke/