English

Drafti Për Minierat: Komisioni Për Veprimtarinë Prodhuese Zhvillon Një Seancë Dëgjimore Me Investitorët E Huaj

TIRANE, 22 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi sot një seancë dëgjimore me drejtues të Shoqatës së Investitorëve të Huaj, në vijim te shqyrtimit të projektligjit "Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë". Përfaqësuesit e kompanive të huaja më me zë në këtë sektor, vlerësuan projektligjin e ri si një draft me standarde dhe që i jep zgjidhje problemeve që haseshin në ligjin e vjetër në sektorin minerar. Patrik Zotaj, përfaqësues i shoqatës theksoi se "projektligji i ri duhet të marrë në konsideratë raportin e vështirë që krijohet ndonjëherë mes zotëruesit të veprimtarisë për shfrytëzim minerar dhe pronarit të tokës, ku gjenden mineralet e nëntokës". "Një problem tjetër i evidentuar nga investitorët e huaj është dhe përcaktimi i dikasterit që do të miratojë gjobën në rastet e pasojave mjedisore, përveç Ministrisë së Mjedisit", nënvizoi ai . Kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Jemin Gjana, si relator i ketij projektligji tha se "projektligji ka si qëllim kryesor mbrojtjen e interesave publikë në raport me interesat e ngushtë private, si dhe eliminimin e abuzimeve burokratike të administratës në dhënien e liçencave në sektorin minerar". Projektligji për sektorin minerar është dikutuar ditë më parë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese me palët e interesuara, ku kanë qënë të pranishëm edhe përfaqësues të ministrise se Ekonomisë, të cilët kanë vlerësuar se projektligji në fjalë përcakton rregullat për zhvillimin e veprimtarive minerare në vend dhe nxit veprimtarine e këtij sektori duke siguruar transparencën dhe konkurrencën e lirë. Projektligji synon rritjen maksimale të përfitimit publik nga veprimtaria minerare dhe garantimin e mjedisit dhe të qytetarëve nga rreziku minerar. Gjithashtu, ky p/ligj ka si synim të lehtësojë procedurat për marrjen e lejes, duke iu përgjigjur në kohë kuadrit rregullator të marrë nga qeveria si dhe përcakton qartë rolin e shtetit si promovues i pasurive minerare, jane shprehur perfaqesuesit e METE-s. Gjatë viteve të fundit, minierat në vendin tonë janë marrë me koncension nga firmat private, të cilat i kanë shfrytëzuar dhe nuk kanë kryer asnjë investim. /s.s./
KOMENTE