Durrës: Tre Fregata Turke, Vizitë Portuale Në Portin Detar
-Dy fregata të tjera janë ankoruar në Vlorë-
DURRËS, 22 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/- Tre anije ushtarake turke u ankoruan sot paradite në portin detar të Durrësit dhe së bashku me dy fregatat e tjera që kanë mbërritur në portin e Vlorës, do të qëndrojnë deri të premten për një vizitë miqësore portuale në Shqipëri.
Shefi i shtabit të Forcave tona detare, kapiten i rangut të parë Roland Nasto, tha për ATSH-në se anijet ushtarake të grupit të fregatave turke drejtohen nga kundëradmirali Ismail Taylan.
Fregata TCG Giresun me gjatësi 138.6 metra dhe ajo ndihmëse TCG Akar me gjatësi 118 metra, sapo janë ankoruar në kalatat 5 dhe 6 të portit të Durrësit, ndërsa pritet mbërritja e fregatës komanduese TCG Kemal Reis me gjatësi 142 metra.
Sipas të njejtit burim, po sot në mëngjes në portin detar të Vlorës janë ankoruar fregatat Gaziantep me gjatësi 138.6 metra dhe Turgut Reis me gjatësi 111 metra.
Shefi i shtabit të Forcave detare, Kapiten Nasto shtoi se gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri, ekuipazhet e anijeve turke së bashku me përfaqësuesit e forcave tona detare do të zhvillojnë një sërë veprimtarish të përbashkëta kulturore dhe sportive.
"Janë parashikuar vizita në anijet turke si dhe një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të forcave tona të armatosura dhe drejtues të pushtetit vendor", tha Nasto.
"Të premten, në ditën e fundit të qëndrimit në Shqipëri, do të zhvillohet një stërvitje e përbashkët në det", bëri të ditur Nasto, duke shtuar se, "një tjetër stërvitje do të zhvillohet më parë në bordin e anijes turke Kemal Reis".
Sot pasdite, në bordin e anijes komanduese Kemal Reis do të organizohet edhe një konferencë për shtyp./n.m/