English

Edi Rama: Zëri i Amerikës, pyetje si të kafeneve të Tiranës (VIDEO)

Uashington, SHBA 22 Qershor 2010 – “Jam gjithnjë i lumtur të shoh se sa pranë Tiranës dhe Shqipërisë jeni të gjithë ju, dhe se si shpeshherë edhe pyetjet kaq larg nga Shqipëria dhe Tirana u ngjajnë pyetjeve të kafeneve të Tiranës”. Kjo ishte deklarata e Edi Ramës si një përgjigje për drejtuesen e lajmeve të VOA sot në Uashington kur u pyet nëse do të jetë kandidat sërish për Bashkinë e Tiranës.

Në këtë pikë, z.Rama tha se është shumë herët për të folur për këtë dhe shtoi: “PS është e angazhuar në një betejë që është shumë më e gjerë se sa thjesht korniza e zgjedhjeve vendore. Përpara se sa të flasim për zgjedhjet vendore, duhet të flasim dhe të vendosim për mënyrën se si do t’i çlirojmë zgjedhjet nga korrupsioni, se si do t’i çlirojmë zgjedhjet nga kthetrat e një pushteti, i cili gjithçka e ka varur tek grabitja e votës dhe siç ka qëndruar aty ku është përmes votës së grabitur, synon të vazhdojë të qëndrojë duke grabitur votën, gjë që ne nuk do ta tolerojmë më”.

Fill pas kësaj përgjigjeje, erdhi dhe reagimi i drejtueses së lajmeve të VOA: “Ne jemi një radio dhe televizion i respektuar që themi gjithnjë të vërtetën megjithatë ju faleminderit z.Rama”.

Më poshtë, vijon intervista e dhënë:

{youtube}WCfZermmkKU{/youtube}

Zyrtarët evropianë u shprehen se tashmë mosmarrëveshja u takon vetë shqiptarëve për ta zgjidhur. Por në letër që ju i dërguar zotërinjve Doll dhe Shultz, ju ende shpresoni në ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Po vetë opozita çfarë qëndrimi do të mbajë për këtë çështje?

Unë nuk e di kujt i referoheni kur thoni për çfarë u shprehën ndërkombëtarët, por unë i referohem të gjithë kësaj përpjekje të gjerë që po zhvillohet nga ana e komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë një ndihmë dhe një mbështetje Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit që kalon padyshim nga zgjidhja e kësaj krize politike që rëndohet përditë duke rënduar përditë në të gjithë sektorët e jetës së vendit, dhe duke ndikuar përditë në jetën e shqiptarëve, duke filluar nga jeta e tyre ekonomike, e cila dita-ditës bëhet më e vështirë.

Pas protestave gati 1-vjeçare të opozitës çfarë mendoni se është arritur nga këto protesta?

Opozita ka arritur ta ndërkombëtarizojë çështjen në nivelin me të lartë dhe të angazhojë të gjitha forcat që komunitet ndërkombëtar ka në raport me vendin tonë për një zgjidhje të drejtë të kësaj krize. Nga ana tjetër, opozita ka bërë detyrën e saj duke rritur ndjeshmërinë e mbarë opinionit publik, vendas dhe opinionit që lidhet me punët e vendit tonë, për domosdoshmërinë e mbylljes së një epoke zgjedhjesh të deformuara, të kontestuara, dhe hapjes së një epoke të re ku zgjedhjet janë shprehja e vullnetit të lirë të popullit. Për sa i takon protestave tona, ato thjesht janë ndalur në një moment reflektimi, ku është kërkuar një kompromis dhe ku ky kompromis është refuzuar thjesht dhe vetëm nga një palë, e më saktësisht nga një njeri, Kryeministri Sali Berisha.

Zoti Rama, unë e kisha fjalën për aspektin praktik të arritjeve gjatë këtij viti, e kam fjalën për aspektin institucional dhe atë ligjor, çfarë arritjesh të realizuara?

Unë nuk e di çfarë konsideroni ju aspekt praktik, por unë fola pikërisht për një zhvillim të rëndësishëm në jetën e vendit lidhur me praktikat e ndjekura deri më tani për zgjedhjet dhe për një sërë çështjesh të tjera që janë në rendin e ditës dhe që ne nuk do t’i heqim nga rendi i ditës. Përkatësisht çështje të demokracisë, të drejtësisë dhe të ekonomisë së vendit, të cilat lidhen drejtpërdrejt me një proces zgjedhor të deformuar, të korruptuar, të manipuluar, i cili për fat të keq po e ndikon në mënyrë degraduese jetën e vendit në tërësi. Në rast se flitet për rezultate konkrete, rezultatet tona në këtë betejë janë konkretë dhe ndërkohë kjo betejë është larg qenies e mbyllur, dhe ne jemi larg së qenit të lodhur, apo durimhumbur në raport me objektivin që është: T’i japim Shqipërisë mundësinë të zgjedhë lirisht, t’u japim shqiptarëve mundësinë ta numërojnë ndershmërisht votën e tyre dhe të bëjmë që Shqipëria të mirëqeveriset nga ata që zgjedh, dhe jo të sundohet si keq e mos më keq nga ata që nuk e lënë të zgjedhë.

Çfarë reformash konkrete mendon PS të ndërmarrë në mënyrë që kjo që thoni ju që ndodhi në zgjedhjet e vitit të kaluara të mos përsëritet në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm?

Shqipëria nuk vuan nga mungesa e ligjeve, Shqipëria nuk vuan nga mungesa e të ashtuquajtura reforma të materializuara në letra pa vlerë. Shqipëria vuan përditë e më shumë nga zbatueshmëria e atyre që bën në ligj, nga zbatueshmëria e atyre që miratohen në Parlament në formë ligjesh dhe që në fakt përditë e më shumë rezultojnë të jenë copa letrash pa asnjë vlerë për një qeveri e cila është larg nga binarët e Kushtetutës, larg nga binarët e ligjit, larg nga binarët e procesit demokratik, të bazuar tek ekuilibrat mes pushteteve. Kështu që, ne jemi në këtë përpjekje për të garantuar zbatueshmëri të Kushtetutës dhe të ligjit. Jemi në këtë përpjekje jo thjesht për të kaluar në një tjetër kapitull reformash të materializuara në copa letrash pa vlerë, por në një kapitull reformash të cilat kthehen në ligje që zbatohen njëlloj nga të gjithë, duke bërë që përpara ligjit të jemi të gjithë të barabartë.

Si do ta realizojë opozita këtë që sapo përmendët?

Ashtu siç e ka realizuar qëllimin e saj çdo forcë politike në historinë e zhvillimeve botërore por edhe shqiptare, e vendosur për të bërë të mundur që demokracia të mos të jetë një slogan, por të jetë një realitet, duke zhvilluar beteja si ne po zhvillojmë. E cila është një betejë për të mirën e Shqipërisë, është një betejë për të mirën e çdo qytetari shqiptar, është një betejë për interesin publik dhe jo për interesin e një pale në dëm apo kundër një pale tjetër. Beteja jonë për interesin publik duhet të shkojë përpara, ne do ta çojmë atë përpara. Jemi të gatshëm për një kompromis që i hap rrugën transparencës por nuk do të tërhiqemi nga rruga jonë në rast se transparenca do të mohohet dhe në rast se do të vazhdojë të mbetet në fuqi një aksion i pashkruar, sipas të cilës, pavarësisht se çfarë thotë ligji, në Shqipëri vendos Maliqi. Kjo për ne është e patolerueshme dhe ne do ta vazhdojmë betejën tonë me ngul. Gjë që e kam nënvizuar edhe në këtë takim shumë të rëndësishëm të Internacionales Socialiste, gjë për të cilën kemi mbarë mbështetjen e plotë të kësaj internacionale, si një shprehje kuptimplotë e vetëdijes përditë e më shumë në rritje të mbarë forcave progresistëve dhe vetë komunitetit ndërkombëtar në tërësi, miq e partnerë të Shqipërisë për domosdoshmërinë e kapërcimit të një faze ku zgjedhjet kanë qenë dhe mbeten një problem kryesor për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ju e keni fjalën që PS do t’i vazhdojë përpjekjet e saj në institucionet e vendit, në Parlamentin e vendit, që këtej e tutje?

PS është e lirë të zgjedhë çdo mjet të nevojshëm në një betejë të ndershme, në një betejë të drejtë, në një të drejtë qytetare dhe emancipuese për vendin, pa asnjë dyshim brenda vizionit të saj demokratik dhe evropian, sipas të cilit në përjashtojmë çdo formë dhune, por nuk përjashtojmë asnjë formë të protestës demokratike që tashmë është e qartë dhe nuk ka asnjë ekuivok se jemi në gjendje ta zhvillojmë me forca të jashtëzakonshme, dhe me një mbështetje përditë e më shumë në rritje. Është e sigurt se PS, opozita shqiptare, nuk do të bëhet kurrë fasada e një parlamenti që nuk vazhdon të mos jetë parlamenti i të gjithë shqiptarëve, por thjesht instrumenti i atyre që nuk i lanë shqiptarët të zgjedhin dhe kërkojnë t’i sundojnë, duke kapur çdo copë të shtetit, duke filluar nga vetë Parlamenti që nuk garanton as minimumin e normave të bashkëjetesës demokratike brenda asaj hapësire ku sot ka një përpjekje të përbindshme për të hequr sekretin, apo fshehtësinë e votës dhe përmes votës së hapur për të kontrolluar dhe gjunjëzuar edhe atë pjesë të mbetur të pushtetit gjyqësor, që nuk është ende nën kontrollin e këtij pushteti të korruptuar dhe korruptues.

Javën e kaluar Kryeministri Berisha tha se përpjekja juaj ka pasur si synim justifikimin për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pushtetit e vendor. Ju jeni shprehur se nuk mund të ketë zgjedhje të lira pa hapur kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit. A mund të pohoni ju sot se PS do të marrë pjesë në zgjedhje dhe nuk do t’i bojkotojë ato?

Unë pohoj se zoti Berisha duhet të harrojë çdolloj mundësie për të mos na pasur përballë, na ka përballë dhe do të na ketë përballë në këtë betejë, në të cilën ne nuk zmbrapsemi asnjë milimetër dhe të cilën ne do ta çojmë përpara me fuqi të shumëfishuara edhe nga kjo mbështetje përditë e më e madhe ndërkombëtare që po gjen kauza e transparencës, si edhe nga vetëdija përditë e më e qartë e të gjithë miqve dhe partnerëve tanë për domosdoshmërinë e një transparence dhe të një këndvështrimi të ri mbi gjendjen në Shqipëri, që është larg së qenit një gjendje për të cilën shqiptarët duhet të jenë të kënaqur dhe për të cilën miqtë dhe partnerë ndërkombëtarë duhet të jenë të kënaqur. Thënë kjo, unë vazhdoj të këmbëngul, kam këmbëngulur edhe në këtë instancë të lartë të të gjitha forcave socialiste dhe progresiste të botës që Shqipëria të mos penalizohet dhe shqiptarët të mos pengohen në lëvizjen e tyre të lirë. Dhe liberalizimi i vizave i cili vazhdon të vonojë për shkak të qeverisë dhe të Sali Berishës, të mos lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me këtë krizë, që është përsëri përgjegjësia e qeverisë dhe Sali Berishës.

Zoti Rama, nuk iu përgjigjet pyetjes a do të marrë pjesë PS në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm?

Unë iu përgjigja pyetjes dhe pa dyshim unë mund ta përsëris, që ne nuk do t’i shmangemi asnjë sfide, por nga ana tjetër mund të rikonfirmoj atë që kam thënë edhe më parë, që pa u plotësuar kushtet për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk do të ketë zgjedhje, por do të ketë një ballafaqim demokratik, i cili do të vazhdojë të përshkallëzohet duke mos toleruar asnjë formë të ashtuquajturën zgjedhje që në fakt nuk i jep mundësinë shqiptarëve të zgjedhin lirisht dhe të shohin të numëruar ndershmërisht votën e tyre.

Po ju vetë do të jeni kandidat sërish për Bashkinë e Tiranës?

Jam gjithnjë i lumtur të shoh se sa pranë Tiranës dhe Shqipërisë jeni të gjithë ju, dhe se si shpeshherë edhe pyetjet kaq larg nga Shqipëria dhe Tirana u ngjajnë pyetjeve të kafeneve të Tiranës. Por, është shumë herët për të folur për këtë. PS është e angazhuar në një betejë që është shumë më e gjerë se sa thjesht korniza e zgjedhjeve vendore. Përpara se sa të flasim për zgjedhjet vendore, duhet të flasim dhe të vendosim për mënyrën se si do t’i çlirojmë zgjedhjet nga korrupsioni, se si do t’i çlirojmë zgjedhjet nga kthetrat e një pushteti, i cili gjithçka e ka varur tek grabitja e votës dhe siç ka qëndruar aty ku është përmes votës së grabitur, synon të vazhdojë të qëndrojë duke grabitur votën, gjë që ne nuk do ta tolerojmë më.

Zoti Rama desha të bëj një korrigjim të vogël: Zëri i Amerikës është një radio dhe një televizion i respektuar, që ka thënë kurdoherë të vërtetën, megjithatë, ju falënderoj për intervistën.

Pa asnjë dyshim dhe unë nuk thashë që ju nuk thatë të vërtetën, thashë thjesht se jeni në korent jo vetëm të problematikeve të rëndësishme të vendit, por edhe atyre më pak parësore të kafeneve të Tiranës dhe kjo në fakt nuk është një kritikë, është thjesht një konstatim dashamirës.

.

KOMENTE