English

Ekonomi - Japoni - Qeveria Kërkon T'U Vendosë Tavan Shpenzimeve Për Tre Vjet

TOKIO, 22 qershor /ATSH-AFP/ - Qeveria japoneze vendosi sot të caktojë një tavan për shpenzimet për të paktën tre vjet në mënyrë që të kufizohet borxhi kolosal i vendit. Ky plan i qeverisë së re të qendrës së majtë të Naoto Kan parashikon kufizimin në 71 000 miliardë jenë (634 miliardë euros) të shpenzimeve të shtetit ose nivelin e tyre të arritur gjatë vitit buxhetor në vazhdim 2010-2011, të paktën deri në vitin buxhetor 2013-2014. Përveç kësaj, ai angazhohet të mbajë për të njëjtën periudhë emetimet e bonove të thesarit nën nivelin 44 000 miliardë jenë (393 miliardë euro), kuota e arritur këtë vit. Në një afat më të gjatë, qeveria kërkon të përgjysmojë deri në vitin 2015-2016 deficitin vjetor të financave të saj dhe çlirohet nga një sufiçit buxhetor që në vitin 2020-2021, që nuk përfshin interesat e borxhit. Ajo ka premtuar gjithashtu të paraqesë "së shpejti" një reformë fiskale drastike që mund të sjellë një rritje të taksës së konsumit, aktualisht e caktuar në 5 për qind. "Mendoj se mund të fitojmë besimin e tregjeve me këtë plan", deklaroi sekretari i Shtetit për Politikën ekonomike dhe fiskale, Satoshi Arai, në një konferencë shtypi. Japonia është vendi i zhvilluar me më tepër borxhe në botë, me një borxh publik që arrin në rreth 200 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, PBB. Menjëherë pas marrjes së detyrës në fillim të qershorit, kryeministri Kan paralajmëroi për rrezikun e një skenari grek nëse ekonomia e dytë më e madhe në botë do të vazhdojë të marrë hua pa zvogëluar shpenzimet. "Do të doja të ishte e qartë: vendi ynë ndodhet tashmë një situatë të ndryshme nga Greqia ose Hungaria", shtoi Arai, duke e vënë theksin në balancën e llogarive rrjedhëse të tepërta të arkipelagut dhe në kursimet e mëdha të japonezëve. Përveç kësaj, rreth 95 për qind e bonove të thesarit mbahen nga investitorë japonez, gjë që i zvogëlon rreziqet për falimentim të shtetit. Për të siguruar të ardhura të reja fiskale, Kan kërkon të hapë një debat kombëtar lidhur me rritjen e taksës për konsumin, menjëherë pasi të përfundojnë zgjedhjet presidenciale të 11 korrikut. /I.Pu.
KOMENTE