English

Falsifikimi I Kartmonedhave, Pritet Procesi Gjyqësor Ndaj 14 Të Akuzuarve

TIRANË, 22 Qershor/.- Gjykata e Tiranës do të hapë së shpejti procesin gjyqësor ndaj një grupi prej 14 vetash, të cilët dyshohet për falsifikim të kartmonedhave. Sipas prokurorisë së Tiranës, e cila hetoi çështjen, të pandehurit e këtij grupi dyshohen se kanë falsifikuar kartmonedha, kryesisht ato 2 000 lekëshe, duke i hedhur në qarkullim në Tiranë gjatë vitit të kaluar. Ky aktivitet i paligjshëm u zbulua nga Policia e Tiranës në fund të 2009-s, pas disa kallëzimeve nga persona që pretendonin se kishin rënë "preh" e mashtrimeve me lekë false. Sikurse mësohet të kenë pohuar disa prej të dëmtuarve, atyre u ishte kërkuar si ndihmë lekë me prerje të vogla në shkëmbim të 2000 lekësheve false. Të pandehurve të këtij procesi iu bllokua një banesë në Laprakë, që shërbente si bazë për këto falsifikime, ku u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale disa pajisje si kompjuter, printer, presa, si dhe një sasi lekësh të këtyre prerjeve. Shtetasit e akuzuar për këtë çështje janë Alfred Bushgjokaj, Altin Lala, Altin Murrani, Amita Kodra, Arben Seferi, Artan Halilaj, Artur Pashkaj, Besnik Gaci, Bilbil Sefa, Defrim Mata, Dritan Elezaj, Roland Skuqi, Shpetim Mataj dhe Xhevahir Koldashi./a.m/s.s./
KOMENTE