English

Festivali Mbarëkombëtar I Këngës Për Fëmijë, Skena Ku Rriten Artistët E Ardhshëm

SHKODËR, 22 Qershor/ATSH-G. Marku/.- Prej 48 vitesh me radhë Festivali i këngës për fëmijë organizohet tradicionalisht në Shkodër, duke përligjur në këtë mënyrë punën e shkëlqyer që bëhet në institucionin e Qëndrës Kulturore të Fëmijëve, që mban dhe peshën më të madhe të organizimit të këtij evenimenti të këngës për fëmijë. Ashtu si dhe në vitet e kaluara, edhe këtë vit, festivali mori vlerësime të shumta, nga artdashësit dhe specialistët e muzikës që nuk munguan ta përcjellin nga afër këtë spektakël. Drejtori i Qëndrës Kulturtore të Fëmijëve në Shkodër, kompozitori Kujtim Alija, i cili prej 25 vjetësh njihet si organizator dhe dirigjent i festivalit, tha se piksynimet që i kishim vënë vetes i kemi arritur. "Do të thosha se ishte një shfaqje e përmasave të mëdha, që fillonte nga një skenografi e mrekullueshme, ku gjej rastin për të përshëndetur skenografin e talentuar, Adnan Kastrati, por në të njëjtën kohë të përshëndes dhe të gjithë bashkëpunëtorët e mi, sepse me një përkushtim absolut, i sollën publikut shqiptar një festival dinjitoz" tha Alija. Ndërkohë, Osman Mula, regjisor i këtij festivali, dhe një nga emrat që ka qëndruar pranë këtij evenimenti ndër vite, e cilëson aktivitetin e këngës për fëmijë si një urë dhe trampolinë të talenteve të reja për të ngjitur më pas shkallët e karrierës artistike. Shumë prej emrave të elitës së këngës shqiptare, tha ai, e kanë burimin nga skena e këtij festivali. "Fakti që spektatori e priti shumë mirë tregon se festivali e arriti qëllimin. Mendoj se ishte një gjetje tjetër, një festival ndryshe. Nuk është kollaj që një festival i tillë të realizohet, për arsye se ka shumë angazhime, qoftë skenike, qoftë edhe angazhime të tjera që nuk i takojnë skenës, sepse festivali i fëmijëve është një masë e madhe njerëzish, fëmijësh, prindërish, edukatorësh, mësuesish, kompozitorësh, poetësh, etj. Mendoj se të gjithë së bashku arritëm të bëjmë një festival të mirë, ndoshta ndryshe nga herët e tjera", theksoi regjisori Mula. Sipas tij, ajo që është më kryesorja, qëndron në faktin se festivali ofroi zëra, të cilët premtojnë të mbushin skenat tona, jo vetëm të festivaleve të fëmijëve, por edhe të gjithë aktiviteteve, festivaleve dhe spektakleve televizive të shumta që organizohen në vendin tonë. Ndërkohë, prezantuesja dhe njëkohësisht skenaristja e festivalit, Manjola Lloja, e rritur në këtë festival, fillimisht si këngëtare, dhe më pas për shumë vite si prezantuese dhe skenariste, e konsideron punën me fëmijët si gjënë më e bukur. Duke vlerësuar pjesëmarrjen e publikut në sallë, skenaristja Lloja kërkon që në edicionet e ardhshme salla e teatrit të mbushet më shumë me fëmijë se sa prindërit e tyre./s.s./
KOMENTE