English

Gjysmëhëna E Kuqe: Anija Iraniane Niset Të Dielën Drejt Gazës

TEHERAN, 22 qershor /ATSH-ANSA/ - Një anije iraniane që është përgatitur për të dërguar ndihma humanitare në Gaza, duke sfiduar bllokadën izraelite, do të niset të dielën nga porti i Bandar Abbas, në Gjirin Persik, deklaroi sot për agjencinë iraniane ISNA, Abdol Rauf Adibzadeh, drejtori për punët ndërkombëtare të Gjysmë Hënës së kuqe iraniane. Adibzadeh deklaroi se nuk është parashikuar që anija të shoqërohet nga ndonjë anije ushtarake. Anija quhet "Fëmijët e Gazës" dhe duhet të lundrojë rreth 14 ditë për të arritur në ujërat e Rripit të Gazës. "Kur të mbërrijë atje, do të kontaktojnë drejtuesit e Gjysmëhënës së Kuqe iraniane të cilët do të marrin një vendim për mënyrën e dorëzimit të ndihmave". Për sa i përket hipotezës se forcat izraelite mund të ndërhyjnë ushtarakisht për ta ndaluar anijen, funksionari i organizatës iraniane pohoi: "Kemi punuar ndërkombëtarisht për përgatitjen e operacionit. I pranojmë vështirësitë që do të paraqiten për dërgimin e këtyre ndihmave, por nuk jemi në kërkim të aventurave dhe luftimeve". Adibzadeh, veç ekuipazhit në anije do të ketë pesë gazetarë dhe pesë ekspertë për ndihmat humanitare". "Ngarkesa do të jetë rreth 1100 tonë, nga të cilat 500 tonë ushqime dhe ilaçe", shtoi ai pa qartësuar se nga se përbehet pjesa tjetër e ngarkesës prej 600 tonësh. /e.v/
KOMENTE