Greqia E Shqetësuar Për Rezervat E Bullgarisë Lidhur Me Një Naftësjellës
ATHINË, 22 qershor /ATSH-AFP/ - Greqia është e shqetësuar për rezervat e shprehura nga Bullgaria lidhur me një projekt naftësjellësi ruso-greko-bullgar i miratuar nga tre vendet në vitin 2007, njoftoi një zyrtar grek.
Kryeministri bullgar, Boiko Borisov, shprehu më 11 qershor rezerva të mëdha për ndërtimin e parashikuar të këtij naftësjellësi ruso-greko-bullgar që lidh qytetin bullgar Burgas me Aleksandropolisin në Greqi si dhe për projektin e centralit bërthamor rus në Bullgari.
"Nuk e shoh të nevojshme të flitet për të në periudhë krize", deklaroi ai. Duke kujtuar katastrofën ekologjike në Gjirin e Meksikës, Borisov ka bërë thirrje për "t'u menduar lidhur me një rrjedhje nafte" në gjirin bullgar të Burgasit në Detin e Zi ku "deti është i trazuar dhe gjiri i ngushtë".
"Ka shumë mundësi që një iniciativë diplomatike të merret brenda disa javëve", deklaroi në parlament sekretari grek i Shtetit për Energjinë Janis Matiatis.
"Gjashtë ose shtatë muajt e ardhshëm do të jenë themelorë për naftësjellësin", u shpreh ai për agjencinë e shtypit ANA.
Ky projekt naftësjellësi prej 280 kilometrash pritet të lidhë portin e Burgasit në Bullgari në Detin e Zi me atë të Aleksandropolisit në Greqi në Detin Egje, për të dërguar naftë nga Kaspiku drejt Evropës Perëndimore duke shmangur ngushticat turke mjaft të ngarkuara.
Megjithatë, qeveria bullgare shtoi se nuk është marrë asnjë vendim për t'i dhënë fund pjesëmarrjes së saj në projekt.
/I.Pu.