English

Kirgizistan, mijëra refugjatë të larguar nisin kthimin në shtëpitë e tyre

Osh, 22 Qershor, NOA – Me qindra mijëra njerëz që nisën të largoheshin nga Kirzigistani si pasojë e trazirave të vazhdueshme që pushtuan këtë vend gjatë ditëve të fundit, kanë nisur të rikthehen drejt tij.

Të larguarit që i përkisnin pakicës uzbeke, më të madhes në këtë vend, e cila ka pësuar një dhunë të paparë nga vendasit, kirgizët, kanë filluar të kthehen në rajonet Osh dhe Xhalal-abad në Kirgizi nga kampet e refugjatëve në Uzbekistan.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, në arrati ndodheshin 275 mijë njerëz, por e keqja ishte se ata nuk kishin ku të shkonin pasi Uzbekistani, vendi i origjinës së tyre nuk i qasi, për shkak të frikës nga dyndja e madhe e tyre.

Rreth 100.000 uzbekë etnikë vlerësohet se e braktisën Kirgizinë pas përleshjeve ndëretnike në rajonet jugore të vendit që filluan në 10 qershor. Nga ana e tij, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq është shprehur se si pasojë e trazirave gjatë ditëve të kaluara kanë humbur jetën disa qindra vetë, ndërkohë që qeveria flet për 178 viktima.

n.e/NOA

KOMENTE