English

Kodheli: Nuk fshihet kriza ekonomike, duhet debat për zgjidhjen

Tiranë, 22 qershor, NOA – Thirrjet për transparencë nga mazhoranca qeverisëse me shifrat e ekonomisë, dhe politika të përgjegjshme në shërbim të saj nuk kanë kanë munguar as sot nga selia rozë, e cila i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha të mos shohë vetëm mirëqënien e njerëzve të tij më të afërt por krizën e thellë që po përjetojnë sot shqiptarët e varfëruar si kurrë më parë.

Duke e cilësuar si një qëndrim politiko-elektoral papërgjegjshmërinë e mazhorancës, nënkryetarja socialiste e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli nuk i kurseu sërish akuzat për kreun e mazhorancës dhe bashkëpunëtorëve të tij, prej papërgjegjshmërisë së të cilëve, sipas, deputetes socialiste, sot ekonomia shqiptare është në vështirësi të mëdha, që madje përkeqësohen si pasojë e retorikës qeveritare, që ende nuk po sheh në sy realitetin e ethshëm të krizës ekonomike.

“Vetë veprimet e qeverisë sot flasin shumë qartë për krizën, që kryeministri nuk do ta pranojë. Ndryshimet e përsëritura në legjislacionin tatimor, debati në lidhje me skemën e pensioneve, borxhet e njëpasnjëshme që qeveria detyrohet të marrë për të shtyrë edhe disa muaj, mosplotësimi i të ardhurave tatimore dhe ndryshimet në buxhetin e shtetit, rritja e çmimeve dhe zhvlerësimi i monedhës vendase flasin më qartë se çdo apologji e munguar nga qeveria, mbi vështirësitë, në të cilat ndodhet sot ekonomia shqiptare e bashkë me të edhe ekonomitë e shumicës së familjeve të shqiptarëve”, deklaroi nënkryetarja socialiste e Komisionit të Ekonomisë.

Mimi Kodheli shton më tej se “Opozita shqiptare nuk është e interesuar të përkeqësojë krizën ekonomike sic thotë lart e poshtë kryeministri i vendit. Përkundrazi, si alternativë e vërtetë qeverisjeje, ajo është tejet e shqetësuar për drejtimin që ka marrë ekonomia sidomos në dy vitet e fundit, si pasojë e keq-qeverisjes dhe papërgjegjshmërisë me financat publike e shifrat ekonomike”.

Ajo vijoi akuzat ndaj kryeministrit Berisha duke thënë se “nuk është opozita shqiptare që e ka renditur Shqipërinë të fundit në imagjinatën e saj, përkundrazi është papërgjegjshmëria e Sali Berishës që e ka degdisur Shqipërinë të fundit në pothuaj të gjithë treguesit në krahasim me rajonin. Ndërkohë që biznese e të punësuar vuajnë rënien e të ardhurave të tyre, mungesën e politikave mbështetëse nga ana e qeverisë, dhe përkeqësimin e standarteve të jetesës, sic tregon edhe studimi i ACIT”, nënvizoi Kodheli.

Deputetja Kodheli evidentoi rishtas shqetësimet e ngritura edhe nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, BERZH, Eurostat e shumë aktorë e faktorë të tjerë të rëndësishëm.

“Por në vend që qeveria të hapte një debat të gjerë me ekspertë vendas e të huaj mbi zgjidhjet për krizën, ajo ka zgjedhur të përfshihet në betejën e turpshme të fshehjes së të vërtetës ekonomike të vendit”, theksoi deputetja socialiste.

Sipas selisë rozë, nuk janë vetëm raportet e huaja dhe vendase që e tregojnë Shqipërinë në krizë dhe të fundit në rajon për: investime të huaja, të ardhura për frymë, korrupsion, shtet ligjor.

mit/NOA

KOMENTE