Korçë: Fillon Faza E Dytë E Ndërtimit Të Ujësjellësit Bulgarec-Libonik
KORÇË, 22 qershor /ATSH-Behar Fejzulla/ - Janë çelur fondet dhe ka filluar faza e dytë e projektit për ndërtimin e ujësjellësit Bulgarec-Libonik, në rrethin e Korçës, bëri të ditur drejtori i Ndërmarrjes Ujësjellës-Fshat, Vasil Steriovski.
Sipas tij, Ministria e Financave ka çelur 14.5 milion lekë, dhe kanë filluar punimet për vendosjen e dy motorpompave zhytëse në dy puset nga do të merret uji dhe të një stacioni qendror pompimi.
Me këtë financim do të riparohen edhe tre depot e ujit në Libonik, Lumalas dhe Vashtmi, si dhe rrjeti i brendshëm i ujësjellësit.
Në fazën e parë të këtij projekti, kanë përfunduar punimet për shpimin e dy puseve në pellgun ujëmbajtës të Bulgarecit nga do të merret uji i pijshëm, dhe shtrimi i tubacionit kryesor Bulgarec - Libonik, 7.5 km i gjatë.
I gjithë projekti me verë 80 milionë lekë është financuar nga qeveria dhe do të sigurojë ujë të pijshëm 24 orë, për fshatrat Libonik, Drithas i Ri, Drithas i Vjetër, Vloçisht, Vashtëmi, Biranj, Lumalas dhe Klocë.
Ujësjellësi i vjetër rajonal Bulgarec-Libonik, i ndërtuar që në vitet 60, ishte shumë i amortizuar dhe furnizonte me ujë të pijshëm këto fshatra, vetëm 2 orë në ditë. Banorët thonë se pas shtrirjes së tubacioneve të reja nga Bulgareci në Libonik është përmirësuar furnizimi me ujë të pijshëm nga 2 orë në 4-5 orë, në ditë.
Petrit Kupe nga fshati Libonik, shprehu bindjen se vënia në funksionim e dy puseve të reja dhe stacionit qendror të pompimit, do të zgjidhin përfundimisht furnzimin me ujë të pijshëm të këtij fshati dhe fshatrave të tjerë./ch/