English

Korçë: Universiteti "Fan Noli, Me Pesë Programe Të Reja Studimi

KORÇË, 22 qershor /ATSH-Behar Fejzulla/ - Në universitetin "Fan Noli" të Korçës, këtë vit akademik do të çelen edhe katër programe të reja studimi të nivelit të parë dhe një program studimi i nivelit të dytë, master, bëri të ditur rektori i këtij universiteti, Gjergji Mero. Sipas tij, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar programet e reja të studimit të nivelit të parë për histori-gjeografi, matematikë, fizikë dhe informatikë si dhe një program studimi të nivelit të dytë për ekonomi, programe të cilat do të plotësojnë edhe më mirë kërkesat e tregut të punës në Rajonin e Korçës dhe më gjerë. Drejtori i Drejtorisë Rajonale Arsimore, Arben Belba, tha se këto programe studimi, janë tepër të nevojshme, pasi në Rajonin e Korçës ka mungesa mësuesish të kualifikuar për lëndët matematikë, fizikë dhe histori-gjeografi. Rektori, Gjergji Mero, tha se me çeljen e programeve të reja të studimit, universiteti i Korçës, nuk synon të rrisë numrin e studentëve që pranon në vitet e para, që është 1400 studentë, por do të ulë kuotat e pranimit në disa programe studimi si parashkollor dhe cikli i ulët, ku nevojat e tregut të punës janë plotësuar dhe do të forcojë cilësinë. Me miratimin e programeve të reja të studimit, universiteti "Fan Noli" i Korçës, tashmë , ka 21 programe studimi të nivelit të parë, 6 programe studimi të nivelit të dytë, master dhe është në pritje për miratimin e tre programeve studimi të nivelit të tretë, doktoraturë. Ky universitet ka aktualisht 5000 studentë./ch/
KOMENTE