Kundëradmirali Turk Taylan: "Do Të Intensifikojmë Më Tej Bashkëpunimin Dypalësh"
DURRËS, 22 Qershor /ATSH- Edmond Prifti/.- Brigjet detare të Shqipërisë kanë qenë ndalesa e radhës e një turi tre mujor nëpër Mesdhe të Task Forcës Detare turke, e përbërë nga 5 anije.
Tre nga anijet turke u ankoruan të martën paradite në portin e Durrësit, ndërsa dy të tjerat në atë të Vlorës.
Kundëradmirali i Task Forcës Detare Turke, Ismail Taylan, gjatë një konferencë për shtyp në bordin e anijes flamurtar "TCG KEMALREIS F-247", që u ankorua së bashku me dy anije të tjera në portin e Durrësit, tha se "marrëdhëniet e bashkëpunimit midis forcave të armatosura turke dhe atyre shqiptare do të vijojnë të intensifikohen".
Këto aktivitete, vijoi ai, synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe operacioneve midis forcave detare turke me shtetet aleate të NATO-s, të sigurisë dhe ligjshmërisë detare në Mesdhe e më gjerë, si dhe kontrollin dhe parandalimin e akteve ilegale në ujërat detare.
Kundëradmirali Taylan bëri të ditur se oficerët e lartë të Forcave Detare Turke gjatë mesditës së sotme u takuan me autoritetet e pushtetit vendor të Durrësit, ndërsa nesër pritet që të takohen në port me Ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shqiptare.
Në këtë kuadër, tha Kundëradmiral Taylan, në portin e Durrësit do të zhvillohet një stërvitje e përbashkët, ndërsa një e dytë është parashikuar më datën 25 Qershor, kur tre anijet luftarake të ankoruara në Portin e Durrësit dhe dy të tjerat e ankoruara në portin e Vlorës, do të vijojnë udhëtimin drejt Egjiptit.
Në datën 24 qershor tre anijet turke, të ankoruara në portin e Durrësit, do të jenë të vizitueshme për publikun.
Kundëradmirali turk Taylan tregoi për gazetarët shqiptarë se Task Forca Detare Turke është nisur nga porti i Aksazit në Turqi më datë 6 Maj 2010. Pas kësaj, flotilja prej pesë anijesh ka marrë pjesë në stërvitjen "Beyaz Firtina 2010", midis datave 10 dhe 20 Maj.
Më tej, midis 21 dhe 28 Maj 2010, flotilja ka realizuar një vizitë zyrtare në Portin e Tunizisë dhe Algjerisë, e më tej kanë vijuar udhëtimin drejt portit të Kartagjenës në Spanjë.
Pas një ndalimi disa ditor në Portin e Tarantos në Itali, pesë anijet luftarake turke, të kryesuara nga "TCG KEMALREIS F-247", janë drejtuar në portin e Malit të Zi, në Kroaci e më tej drejt Bonje-Hercegovinës.
Pesë anijet e Task Forcës Turke do jenë të ankoruara në portin e Durrësit dhe atë të Vlorës deri më datë 25 qershor, e më tej do të vijojnë udhëtimin drejt Egjiptit, duke përfunduar udhëtimin gati 3 mujor përgjatë brigjeve të Mesdheut, në bazën e Aksazit.
Pesë anijet e Task Forcës Turke
Anija flamurtar "TCG KEMALREIS F-247" peshon 3380 tonë dhe ka një gjatësi prej 118 metrash, me gjerësi 14 metra. Sistemet e fregatës janë të komanduara në mënyrë automatike me gjurmues të tipit "Otohetts" dhe me rreze veprimi deri në 18 milje.
Fregata flamurtar dhe anijet e tjera shoqëruese i përkasin klasës "G", (Genesis), të pajisura me sisteme moderne të një rreze të lartë veprimi si dhe me sistem kamerash infra të kuqe, prodhim të Kompanisë Industriale Turke të Mbrojtjes.
Në kuvertat e dy prej anijeve të Task Forcës Turke janë në gatishmëri edhe dy helikopterë të tipit S-70B Sea Hawk dhe një i dytë i tipit AB-212./s.s./