Lohan: Bashkëpunimi Rajonal, I Rëndësishëm Për Integrimin Në Be
TIRANE, 22 Qershor / ATSH- A.Gegvataj/ - "Shumë shpejt, shumica e vendeve të rajonit do të përfitojnë udhëtimin pa viza në vendet "Shengen" dhe kjo do të thotë se të gjitha këto vende do të plotësojne standartet si ato lidhur me dokumentet e identifikimit dhe sigurinë e pikave kufitare", tha sot Ambasadori i KE-së, Helmut Lohan.
I pranishëm në tryezën e rrumbullakët, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për MARRI (Iniciative Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët) mbi "Përmirësimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e të dhënave mbi çështjet e migrimit dhe refugjatëve", Lohan tha se bashkëpunimi rajonal është në frymën e integrimit europian dhe në dobi të qytetarëve.
"Ne besojme se formula e përdorur në Samitin e Sarajeves duhet të përdoret në iniciativat rajonale si MARRI dhe ne shpresojmë se të gjitha palet do të marrin një qendrim fleksibël në interesin më të mirë të të gjitheve", theksoi Ambasadori.
Sipas tij, bashkepunimi mes vendeve të rajonit është në frymën dhe parimet e BE-së për integrimin, ndërsa nuk la pa përmendur edhe integrimin europian të Kosovës.
Lohan deklaroi se "natyrisht qe Kosova nuk është tej konsideratës së BE-së, por kur kushtet të plotësohen, atëherë ajo do të mund të lëvizë drejt dialogut për liberalizimin e vizave me Komisionin Evuropian".
Ambasadori i KE-së nënvizoi se "mbështetja e bashkëpunimit rajonal është prioritet kyç i BE-së, politikisht dhe financiarisht".
Duke vlersuar iniciativën për takimin e MARRI-t, Lohan vuri ne dukje se "është e rëndësishme t'u adresohemi sfidave të këtij rajoni, veçanërisht në kontrollin kufitar, migrimin dhe azilin". /a.ke/