English

Meta: Kosova, pjesa që i mungonte mozaikut të bashkëpunimit rajonal

Stamboll, 22 Qershor, NOA - “Shqipëria është e vendosur të luajë një rol konstruktiv në nxitjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne besojmë se kjo është rruga e vetme për të sjellë begati për popujt tanë dhe qasja e duhur për përshpejtimin e perspektivës evropiane”.

Me të tilla fjalë, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u shpreh në fjalën që mbajti gjatë takimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Vendeve Anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Gjithsesi, ai ka pohuar se megjithëse situata në rajonin tonë ka ndryshuar krejtësisht; sidoqoftë, kemi ende disa sfida, të cilat na duhet t’i trajtojmë e zgjidhim bashkërisht.

Duke u ndalur konkretisht te çështja e pavarësisë së Kosovës, ai u shpreh se “ne jemi thellësisht të bindur se Pavarësia e Kosovës e ka pasuruar rajonin politikisht, në vlera demokratike dhe në standarde sigurie dhe, çka është më e rëndësishme, realiteti aktual e ka provuar këtë bindje”.

“Kosova, si shtet demokratik e multi-etnik, është pjesa që i mungon mozaikut të bashkëpunimit tonë rajonal”, tha më pas Meta.

Duke përfunduar se mbështetur në parimin themelor të gjithë-përfshirjes, të pjesëmarrjes aktive dhe të kontributit të të gjithë vendeve të rajonit në aktivitetet që zhvillohen, Republika e Shqipërisë ka mbështetur e do të vazhdojë të mbështesë përfshirjen dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në të gjitha aktivitetet shumëpalëshe rajonale, të cilat nuk mund të jenë efikase pa pjesëmarrjen e të gjithëve.

n.e/NOA

KOMENTE