Tiranë, 22 Qershor, NOA - Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, organizoi sot një tryezë për prezantimin e projektligjit “Mbi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”.
Ky projektligji i ri i përgatitur prej këtij dikasteri, me asistencën teknike të projektit CARDS 2006 të BE-së, INPAEL, përfshihet në kuadrin e masave që po merren në zbatim të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për sektorin e mjedisit.
Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, duke përgëzuar hartuesit e këtij projektligji, u shpreh se është bërë një punë mjaft cilësore, e cila ka në bazë të saj mbrojtjen e mjedisit, si dhe përafrimin e Shqipërisë me standardet mjedisore evropiane, metodikat e Bashkimit Evropian për vlerësimin e ndikimit në mjedis.
Ai tha se një ndër pikat shumë të rëndësishme të këtij ligji është se tashmë Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe degët e saj rajonale, do të kenë gati një legjislacion të plotë dhe mjaft mirë të koordinuar, i cili forcon rolin mbikqyrës të saj, si dhe krijon mundësi për të monitoruar, vlerësuar, por edhe të të bërit oponencë, përsa i përket lejeve mjedisore, të cilat nuk do të firmosen më, në rast se nuk janë në përputhje me ligjin e “Mbi vlerësimin e ndikimit në mjedis”.
Një tjetër çështje, të cilës ministri Mediu i kushtoi vëmendje të veçantë, ishte edhe licencimi i ekspertëve mjedisorë.
“Tashmë, - theksoi ministri Mediu, - ka ardhur koha për një ritestim të këtyre ekspertëve mjedisorë, gjithnjë në kuadër të një efektshmërie sa më të plotë në zbatimin e ligjit”.
Në këtë kontekst, ministri Mediu la porosi që të përcaktohen kritere akoma më të forta për çertifikimin e ekspertëve mjedisorë.
Gjithashtu, gjatë prezantimit të këtij projektligj, ministri Mediu e cilësoi si një arritje shumë të vlefshme, përfshirjen e publikut, në diskutimet mbi çështjet mjedisore, të cilat kanë një impakt gjithëpërfshirës për qytetarët.
n.e/NOA