English

Ministri Tafaj Takon Vlerësuesit E Provimit Të Matematikës

TIRANË, 22 Qershor/ ATSH/- Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, u takua sot në mjediset e shkollës "Sabaudin Gabrani", në Tiranë, me vlerësuesit e testit të provimit të matematikës të Maturës Shtetërore 2010. Ministri Tafaj e cilësoi këtë proçes shumë të rëndësishëm dhe vlerësoi punën e mësuesve për të korrigjuar në mënyrë korrekte rezultatet për të gjithë maturantët. Ai u njoh nga afër me procedurën e korrigjimit të testeve dhe theksoi se "kjo mënyrë garanton vlerësim objektiv të maturantëve". Vlerësimi i testeve të Maturës Shtetërore kryhet fillimisht nga 2 mësues korrigjues, që vlerësojnë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri dhe më pas, nëse përgjegjësi që e rikontrollon testin vëren mospërputhje të pikëve në këto vlerësime, kërkon korrigjimin e testit të maturantit nga një vlerësues tjetër. Prej disa ditësh vlerësuesit e provimit të Matematikës, që janë përzgjedhur nga mësuesit më të mirë në të gjithë vendin, janë mbledhur në 4 qendra kombëtare vlerësimi, ku po kryejnë procesin e korrigjimit të testeve për rreth 38 000 maturantë./ s.d/s.s./
KOMENTE