English

Ndryshimet Në Kodin Zgjedhor /Gjiknuri: Më Parë Hetimi I Zgjedhjeve

TIRANË, 22 Qershor/ATSH/- Deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht ekspert për çështjet elektorale në PS-së, Damian Gjiknuri, u shpreh sot se "për të pasur ndryshimet e duhura në kodin zgjedhor duhet krijuar klima e nevojshme e bashkëpunimit dhe kjo fillon nga hetimi parlamentar i zgjedhjeve". "Duhet kryer patjetër një hetim parlamentar për problemet e zgjedhjeve, në mënyrë që komisioni hetimor parlamentar, që mund të kombinohet dhe me komisionin e reformës zgjedhore, të japë rekomandimet e duhura", tha deputeti Gjiknuri gjatë një prononcimi për mediat. Ai gjykon se kjo është zgjidhja normale dhe beson se "nuk ka ndonjë problem të njëanshëm për të ndryshuar kodin zgjedhor, pasi do të ishte e pamundur dhe nuk do t'i shërbente zgjedhjeve të ardhshme". Gjiknuri komentoi dhe vonesat nga ana e komisionit të Ligjeve në shqyrtimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimet në Gjykatën e Lartë, vonesa që, sipas tij, "janë me paramendim, pasi maxhoranca synon t'i miratojë dekretet sipas ndryshimeve në rregulloren e re". "Dekretet duhet të shqyrtoheshin në komision brenda tre javësh. Mosrespektimi i afatit lidhet me ndryshimin e rregullores së Kuvendit për votimin e hapur të dekreteve të Presidentit. Në themel kjo që po ndodh është një shkelje e hapur e rregullores, pavarësisht se nga kjo nuk ka pasoja. Ajo është tregues i asaj që mbrapa projektit për ndryshimin e rregullores, qëndron kontrolli i votës së deputetëve lidhur me kandidaturat e propozuara", tha Gjiknuri. Komisioni parlamentar i Ligjeve duhet të kishte nisur shqyrtimin e tre dekreteve të Presidentit për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë që në fillim të kësaj jave. /a.s/s.s./
KOMENTE