Prishtinë, 22 Qershor, NOA /Milena Selimi - Ka nisur dje në mbrëmje në Teatrin “Dodona” në Prishtinë, edicioni i parë i Festivalit Ballkanik Teatror , i cili do të mbahet nga datat 21-26 qershor.
Gjashtë shfaqje nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor do të nisin garën në Teatrin e të rinjve dhe kukullave “Dodona”.
Nata e parë nisi me shfaqjen nga nga Shqipëria, “Për trupin nga koka”, e regjisores Inida Gjata. Përveç saj, në pesë ditët e tjera të festivalit do të prezantohen edhe dy shfaqje nga Kosova, “Nata e zotëve”, me tekst të Miro Gavranit dhe regji të Fatmir Hysenit, prodhim i Teatrit të qytetit të Ferizajt, si dhe “Sonte jam vetëm”, me regji të Enver Petrovcit, prodhim i “Teatrit të Babës” të Prishtinës.
Nga Maqedonia, konkurron shfaqja “Kufomat e gjalla”, e autorit Shkëlzen Halimi me regji të Zijadin Murtezit, ndërsa Mali i Zi do të prezantohet me “Vi?e od terapije” (Më shumë se terapi), e autorit Christopher Durang.
Pjesëmarrjen në këtë festival e ka konfirmuar edhe shfaqja nga Serbia, “Primadona” me tekst të Zhelko Mijanoviqit, nën interpretimin e aktoreve Evgenija Stankoviq dhe Katarina Arsiq.
Organizatore e këtij festivali është kompania “Arena Film”.
Drejtuesi i saj, Sunaj Raça, ka thënë se ideja për një festival të tillë ka nisur kaherë, por në mungesë të kushteve për të sjellë shfaqje nga vendet e rajonit ka bërë që ky festival të shtyhet deri në këtë vit.
“Megjithatë, të gjitha janë shfaqje të formatit të vogël”, ka thënë Raça. Ai, ka bërë me dije, se festivali do të ndajë gjashtë çmime. Do të zgjidhet shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktori dhe aktorja më të mirë, si dhe aktori dhe aktorja më të mirë për rol episodik”, ka thënë Raça. Juria e festivalit, e cila do të vlerësojë edhe çmimet janë: dramaturgu Ekrem Kryeziu, regjisori Kiço Londo dhe regjisori Agim Selimi.
Selimi, njëherësh edhe drejtor i teatrit “Dodona”, në cilësinë e bashkorganizatorit të këtij festivali, ka thënë se kjo është ngjarje e përmasave ballkanike.
“Shfaqjet i përshtaten hapësirës së ‘Dodonës’”, ka thënë Selimi. Sipas tij, ky festival me karakter garues, përveç që do të mundësojë shkëmbimin e përvojave, do të mund të luajë edhe një funksion tjetër.
“Ai do të mund të konsiderohet si një njësi krahasimi e teatrit tonë me atë të vendeve të rajonit”, ka përfunduar Selimi.
Festivali është mbështetur nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit si dhe nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës.
m.s/n.e/NOA