Nju Jork, 22 qershor, NOA – Intenacionalja socialiste i ka dhënë mbështetjen betejës së Partisë Socialiste për transparencën e zgjedhjeve të qershorit të shkuar, si zgjidhja e duhur e krizës politike mes Opozitës dhe Mazhorancës në Shqipëri.
Këtë mbështetje, sikundër bën të ditur zyra e shtypit e Partisë Socialiste, e ka marrë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili po merr pjesë nga dje edhe sot, në Këshillin e Internacionales Socialiste të mbledhur në Nju Jork.
Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste Luis Ayala duke folur për mediat shqiptare thuhet të jetë shprehur se ndjen keqardhjen për mungesën vullnetit të kompromisit që vërehet nga ana e qeverisë së kryeministrit Sali Berisha. Ayala e cilësoi e liderit të opozitës Edi Rama si të përgjegjshëm, pasi ka pranuar kompromisin për zgjidhjen e ngërçit politik.“Jemi mjaft të kënaqur që Edi Rama i është bashkuar diskutimeve të Këshillit të Internacionales Socialiste në selinë e Kombeve të Bashkuara këtu në Nju Jork. Cështja e Shqipërisë është një nga cështjet kryesore në azhendën e Internacionales Socialiste që nga takimi ynë në Tiranë, në mbledhjen e Komisionit për Europën Juglindore para disa javësh, që diskutoi për zhvillimet në Shqipëri”, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ayala.
Ayala ka vijuar më tej duke theksuar se “Unë do të thoja që ne ndërkombëtarët në momentin aktual shprehim keqardhjen për mungesën vullnetit për kompromis që vërehet nga ana e qeverisë së kryeministrit Berisha. Nga ana tjetër, ne, jemi shumë krenarë nga qendrimi shumë i përgjegjshëm, nga maturia e liderit të opozitës Edi Rama, i cili ndërkohë ka pranuar këtë kompromis.”
Duke folur për vizoitën e mëparëshme në Tiranë, Ayala nënvizoi se “Ne ndërkombëtarët kishim pritshmëri kur ishim atje në Tiranë për zgjidhjen e këtij kompromisi, që nisma e parlamentit europian, e dy kryetarëve, do të sillte rezultat. Por, për këtë kërkohet një angazhim real për të gjetur zgjidhjet për Shqipërinë”.
“Unë mendoj se Shqipëria ka nevojë për një qeverisje demokratike, me institucione politike të forta për të përballuar sfidat e Europës. Për të përballuar mundësitë që janë hapur për Shqipërinë, për popullin e shqiptar që shpreson dhe ka ëndrra për të ardhmen, në momente të cilat nuk janë të lehta për komunitetin ndërkombëtar si pasojë e krizës financiare”, shtoi sekretari i përgjithshëm i Internacionales Socialiste.
Sipas tij, Partia Socialiste ka platformën e duhur për të ardhmen që ëndërrojnë shqiptarët.
mit/NOA