P/Ligji Për Vlerësimin E Ndikimit Në Mjedis Siguron Përafrim Me Standardet Përkatëse Europiane
TIRANË, 22 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Projektligji "Për vlerësimin e ndikimit në mjedis", i cili u diskutua sot në një takim me pjesëmarrje të gjerë në Hotel Tirana International, siguron përafrim me standardet përkatëse europiane dhe metodikat e Bashkimit Europian për vlerësimin e ndikimit në mjedis, duke përcaktuar proçedurat sipas kërkesave të Direktivës Europiane për këtë çështje.
I pranishëm në këtë diskutim, ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu, shprehu qëndrimin e dikasterit që drejton "për bashkëpunim transparent me të gjithë aktorët, me synim arritjen e standardeve bashkëkohore mjedisore në të mirë të cilësisë së jetës dhe zhvillimit që gjeneron benefite afatgjata, jo vetëm ekonomike".
Diskutimi i këtij p/ligji vjen pas atij "Për mbrojtjen e mjdisit", ndërkohë që do të pasohet nga diskutimi i p/ligjit "Për lejet mjedisore". "Ne do të vazhdojmë të diskutojmë që të kemi një paketë të plotë ligjore sa i takon çështjeve të mjedisit, siç është ligji për mbrojtjen e mjedisit, ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis, më tej ligji për lejet mjedisore", tha Mediu, sipas të cilit, diskutimi i tyre duhet të kthehet në debat, për të ndihmuar hartimin e tyre sa më të saktë dhe më të plotë.
P/ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis, i përgatitur nga MMPAU, në bashkëpunim me projektin INPAEL të Bashkimit Europian, vjen në përmbushje të objektivave të Qeverisë dhe zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, Jemin Gjana, vlerësoi p/ligjin të rëndësishëm dhe si një mekanizëm për të zbatuar ligjin për mbrojtjen e mjedisit. "Është e rëndësishme të mendojmë sesi do t'i ndërtojmë kapacitetet logjistike dhe ato njerëzore për t'a realizuar matjen e ndikimit në mjedis. Besoj se ligjin do ta bëjmë shumë të mirë, por nëse nuk do ta shoqërojmë me këto kapacite, ai nuk gjen zbatimin e duhur", theksoi Gjana.
P/ligji "Për vlerësimin e ndikimit në mjedis" parashikon që aplikimi për leje apo liçenca për zhvillimin e projekteve me ndikim në mjedis, nuk mund të bëhet pa zhvilluar më parë proçesin e vlerësimit dhe ndikimit në mjedis. Po ashtu, forcon dhe kushtëzon përfshirjen e institucioneve qendrore dhe lokale në këtë process, duke parashikuar klauzola detyruese për secilën prej tyre, me qëllim marrjen e e përgjegjësive në procesin e mbrojtjes së mjedisit.
Decentralimi i procesit në strukturat lokale është një ndër risitë apo përmirësimet që sjell ky p/ligj, në krahasim me kuadrin ligjor ekzistues në këtë fushë. Ndërkohë, do të jetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në bashkëpunim me Agjencitë Rajonale, që do të jenë përgjegjësit kryesore të analizave të vlerësimit të ndikimit në mjedis. "Kjo kërkon konceptim të ri të punës nga kjo agjenci, sa i përket kapaciteteve dhe strukturës për ta bërë sa më efikase këtë proces, në raport me të gjithë aktorët e interesuar, investimi i të cilëve ka impakte në zhvillimin mejdisor", nënvizoi ministri Mediu.
P/ligji forcon rolin mbikqyrës të MMPAU në zhvillimin e procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis nga aktorët e përfshirë, si dhe kushtëzon pjesëmarrjen e publikut. /a.ke/