English

Paqja në rajon, rruga drejt perspektivës evropiane

Shqipëria është e vendosur të luajë një rol konstruktiv në nxitjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne besojmë se kjo është rruga e vetme për të sjellë begati për popujt tanë dhe qasja e duhur për përshpejtimin e perspektivës Evropiane. Dje në Tiranë, u mbajtën konsultimet e para diplomatike midis Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat demonstruan vullnetin e mirë të të dy vendeve të punojnë së bashku nën frymën konstruktive dhe evropiane, për një të ardhme të përbashkët evropiane. Situata në rajonin tonë ka ndryshuar krejtësisht; sidoqoftë, kemi ende disa sfida, të cilat na duhet t’i trajtojmë e zgjidhim bashkërisht.

Nga Ilir Meta*

I nderuar zoti Davutoglu,

Më lejoni, para së gjithash, t’ju shpreh falenderimet më të sinqerta, për ftesën dhe mikpritjen e ofruar në këtë takim të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Takimi i sotëm shënon përfundimin e kryesisë një vjeçare të vendit tuaj në SEECP; me këtë rast më lejoni Zoti Davutoglu, t’ju shpreh vlerësimet më pozitive të palës sonë për realizimin e objektivave të kësaj kryesie.

Nën lidershipin Tuaj, Ministër Davutoglu, dhe falë seriozitetit dhe profesionalizmit të të gjitha strukturave të angazhuara, gjatë kësaj periudhe kemi realizuar disa dhjetëra aktivitete të rëndësishme rajonale, që kanë mbuluar pothuajse të gjithë sektorët e bashkëpunimit tonë. Të orientuara drejt rezultateve, ato sollën kontribute për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, stabilitetit dhe sigurisë rajonale, për konsolidimin e mëtejshëm të vetë SEECP-së, si forumi kryesor politik në Evropën Juglindore.

Më lejoni të shpreh bindjen se, bazuar në rezultatet dhe eksperiencën e krijuar, me kontributet e të gjithë vendeve anëtare, këto arritje do të çohen më përpara edhe gjatë kryesisë së ardhshme të Malit të Zi, të cilën, me këtë rast, e siguroj për mbështetjen e plotë të palës sonë.

Zonja e zotërinj,

Në 12 shkurt të vitit 2000, kam patur nderin të jem një nga nënshkruesit në Bukuresht, të “Kartës së Marrëdhënieve të Fqinjësisë së Mirë, Stabilitetit, Sigurisë dhe Bashkëpunimit”, dokumentit kryesor të SEECP-së.

Në atë kohë ishim gjashtë vende anëtare. Problematikat me të cilat ndeshej rajoni, ishin shumë komplekse dhe të ndërlikuara. Dukej e vështirë vendosja e urave të pajtimit, të besimit dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Sot, mbas dhjetë vitesh, me gjithë vështirësitë e ndeshura, progresi në marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona është i dukshëm dhe perspektiva më e qartë dhe më optimiste. Sot SEECP-ja ka 11 vende anëtare dhe nesër, sigurisht, do të jemi më shumë.

Sistemet demokratike dhe orientimet Evropiane e Euro-Atlantike të shoqërive e të vendeve tona, kanë bërë që Ballkani Perëndimor të fshihet nga harta e rajoneve që prodhojnë kriza e pasiguri.

Para tre javësh në Takimin e Nivelit të Lartë në Sarajevë, Bashkimi Europian rikonfirmoi politikën e tij për “Evropianizimin e Ballkanit”. Mesazhet e këtij takimi, shprehën angazhimin e qartë të BE-së për të vazhduar politikën e zgjerimit, pikërisht me Ballkanin; e konsiderojmë këtë si një inkurajim dhe një nxitje tjetër për të vazhduar pa lëkundje në rrugën tonë të reformave.

Me këtë rast, dua të përshëndes propozimin pozitiv të Komisionit Evropian për avancimin e axhendës së lëvizjes së lirë të qytetarëve të rajonit tonë, përfshirë edhe Shqipërinë e Bosnje-Hercegovinën.

Njëherazi, atje konfirmuam përkushtimin tonë për të vazhduar përpjekjet tona në përmbushjen e të gjitha kërkesave të mbetura, me qëllim që lëvizja pa viza e qytetarëve të vendeve tona të realizohet në vitin 2010.

Vokacioni evropian i Shqipërisë është bosht qendror i politikës së saj të jashtme, me prioritet madhor integrimin në BE.

Në këtë kuadër, gjatë këtij viti, vendi ka hedhur hapa domethënës përpara.

Pas dorëzimit të kërkesës për statusin e vendit kandidat dhe të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian, presim që vendimi përkatës të merret së shpejti. Ndërkohë, po punojmë intensivisht për të arritur të gjitha standardet e kërkuara në luftën kundër korrupsionit, krimit dhe trafiqeve të paligjshme, në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, në arritjen e standardeve të kënaqshme të sigurisë, etj.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria është e vendosur të luajë një rol konstruktiv në nxitjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne besojmë se kjo është rruga e vetme për të sjellë begati për popujt tanë dhe qasja e duhur për përshpejtimin e perspektivës Evropiane.

Dje në Tiranë, u mbajtën konsultimet e para diplomatike midis Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat demonstruan vullnetin e mirë të të dy vendeve të punojnë së bashku nën frymën konstruktive dhe evropiane, për një të ardhme të përbashkët evropiane.

Situata në rajonin tonë ka ndryshuar krejtësisht; sidoqoftë, kemi ende disa sfida, të cilat na duhet t’i trajtojmë e zgjidhim bashkërisht.

Ne jemi thellësisht të bindur se Pavarësia e Kosovës e ka pasuruar rajonin politikisht, në vlera demokratike dhe në standarde sigurie dhe, çka është më e rëndësishme, realiteti aktual e ka provuar këtë bindje.

Mbështetur në parimin themelor të gjithë-përfshirjes, të pjesëmarrjes aktive dhe të kontributit të të gjithë vendeve të rajonit në aktivitetet që zhvillohen, Republika e Shqipërisë ka mbështetur e do të vazhdojë të mbështesë përfshirjen dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në të gjitha aktivitetet shumëpalëshe rajonale, të cilat nuk mund të jenë efikase pa pjesëmarrjen e të gjithëve.

Kosova, si shtet demokratik e multi-etnik, është pjesa që i mungon mozaikut të bashkëpunimit tonë rajonal.

Të nderuar pjesëmarrës,

Unë besoj gjithashtu se bashkëpunimi rajonal do të jetë më i plotë, më konstruktiv, më i qëndrueshëm dhe më i dobishëm, duke mos mbetur vetëm në rrafshin e dialogut politik dhe në frazat për fqinjësinë e mirë.

Duke filluar nga adresimi dhe zgjidhja e çështjeve konkrete siç është p.sh. lëvizja e lirë e qytetarëve në vendet tona respektive. Sepse e konsideroj anomali dhe jashtë kohe faktin se, ndërsa kërkojmë që të shkojmë pa viza në Bashkimin Evropian, disa nga vendet tona ende mbajnë në fuqi në regjim vizash ndaj njëri tjetrit.

Gjykojmë se rritja e shkëmbimeve dhe flukseve njerëzore në rajon, që lehtëson kontaktet dhe zgjeron hapësirën e pajtimit rajonal, duhet nxitur dhe institucionalizuar. Prandaj, kërkojmë që konkretizimi i hapave në këtë drejtim, të jetë një nga prioritetet e bashkëpunimit të vendeve tona edhe gjatë presidencës Malazeze.

Realizimi i axhendave tona integruese varet në një masë të madhe nga projektet e zhvillimit të një rrjeti infrastrukturor rajonal. Për të përdorur në mënyrë efikase lehtësirat që ofron Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit, duhet të bëjmë më tepër lobing efikas për projektet tona, në mënyrë që të fitojmë mbështetjen financiare për zbatimin e tyre. Kjo vlen veçanërisht për Korridoret Pan-Evropiane dhe Korridorin e Tetë, si boshte të zhvillimit të Rajonit dhe të afrimit të tij me Bashkimin Evropian.

Bashkëpunimi rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirës, nëse duam të arrijmë rezultate konkrete në këto fusha, por edhe në të tjera si p.sh. Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë (CEFTA). Tendencat për izolimin e vendeve të caktuara, e dëmtojnë procesin dhe shënojnë regres në drejtim të këtij bashkëpunimi.

Për përmbushjen e axhendave tona të bashkëpunimit, rol të rëndësishëm ka Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, krahu operacional i SEECP-së, si dhe Sekretariati i tij në Sarajevë. Pas gati tre viteve veprimtarie, është normale që kërkesat tona ndaj kësaj strukture të jenë për një punë më cilësore dhe efektive.

I nderuar z. Bishcevic, duke ju uruar për rizgjedhjen dhe për suksese në punën tuaj, shpresojmë qe mandati juaj i dyte, te përqendrohet ne implementimin e projekteve prioritare të RCC-s, bazuar në Programin Strategjik të Punës 2011-2013.

Parimi i gjithëpërfshirjes është një nga elementet kryesore mbi te cilin RCC duhet te vendoset. Mbi këtë bazë, duhet të sigurohen kushtet që përfaqësuesit legjitim te Republikës së Kosovës të ftohen e të marrin pjesë në të gjitha nivelet e përfaqësimit, atë politik dhe të ekspertëve, duke gjetur një zgjidhje përfundimtare për çështjen e pajisjes së tyre me viza.

Shqipëria mbështet kërkesën e Republikës së Sllovenisë për tu anëtarësuar me të drejta të plota në SEECP. Shpreh bindjen se prania e këtij vendi mik në strukturat e Procesit, do të kontribuojë më tej për forcimin e stabilitetit, besimit dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe do t’i shërbejë promovimit të aspiratave integruese të rajonit në strukturat Evropiane e Euro-Atlantike.

Zoti Kryetar,

Shqipëria do të vazhdojë të jetë një partnere aktive dhe e besueshme në realizimin e të gjitha axhendave tona të përbashkëta të bashkëpunimit dhe të integrimit rajonal, Evropian dhe Euro-Atlantik.

* Fjala e plotë e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme në Takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Vendeve Anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP

KOMENTE