English

Prefekti: Bashkisë së Tiranës t’i ngrijnë fondet e shtetit, Rama refuzon auditin

Tiranë, 22 qershor, NOA Foto update – Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja ka kërkuar sot nga qeveria dhe ministria e Financave të bllokojë fondet e buxhetit të shtetit për Bashkinë e Tiranës, pasi kryetari i saj, Edi Rama, ka refuzuar kontrollin e auditit dhe transparencën ndaj këtyre fondeve.

Sipas prefektit të Tiranës, sektori auditimit të brendshëm pranë Prefektit të Qarkut Tiranë ka planifikuar dhe depozituar një program auditimi në një sërë njësish vendore, ndër to edhe në Bashkinë Tiranë, për fondet e vitit 2009, një kontroll financiar mbi organet e qeverisjes vendore në mënyrën dhe limitet e përcaktuara me ligj.

“Kontrolli i të ardhurave dhe i shpenzimeve të buxhetit të pavarur dhe të kushtëzuar në komuna, bashki e rrethe, kryhet rregullisht jo më pak se një herë në vit nga organi i specializuar i tyre”, deklaroi prefekti Keltis Kruja.

“Por, në përgjigjen e kthyer me shkresën nr. 3826/1 dt. 11.05.2010, Kryetari Bashkisë së Tiranës shprehet se, “refuzon të auditohet nga ana e Prefektit të Qarkut Tiranë dhe nuk njeh asnjë grup pune të ngritur për këtë qëllim”, nënvizoi prefekti i Tiranës.

Sipas prefektit Kruja, kjo shkresë e kryebashkiakut Rama, tregon se zyrtarisht ky i fundit deklaron se nuk njeh dhe refuzon të zbatojë ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese te Republikës së Shqipërisë.

“I bëj thirrje kryetarit të Bashkisë të ndahet nga praktikat private, me të cilat administron Bashkinë e Tiranës, dhe ta drejtojë këtë bashki në respekt dhe përputhje te plotë me ligjin”, nënvizoi prefekti i kryeqytetit, Keltis Kruja.

Kontrolli i auditit nga Prefektura ushtrohet, vetëm për anën financiare dhe fondet e transferuara nga buxheti qendror në pushtetin lokal, pa përfshirë anë të tjera të veprimtarisë së subjektit vendor.

mit.NOA
KOMENTE