Prefekti Kruja Kërkon Ngrirjen E Buxhetit Të Bashkisë Së Tiranës
TIRANË, 22 Qershor/ ATSH- Gjergji Mima/. - Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, i kërkoi sot qeverisë dhe ministrisë së Financave të ngrijnë çdo lloj buxheti të bashkisë së Tiranës në Thesarin e Shtetit.
Kruja tha sot në një konferencë për shtyp, se "është i detyruar të bëjë një thirrje të tillë për shkak se bashkia e Tiranës ka refuzuar që Prefektura, në bashkëpunim me ministrinë e Financave, të bëjë një auditim përsa i përket përdorimit të fondit të veçantë për vitin 2009".
Sipas Prefektit Kruja, kontrolli i të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit të pavarur dhe të veçantë në komuna dhe bashki e rrethe jo më pak se një herë në vit është një e drejtë ligjore e institucionit të Prefektit, e rregulluar dhe me vendim gjykate.
Prefekti ka sqaruar se kontrolli nga Prefektura do të ushtrohet vetëm për anën financiare, pa përfshirë anët e tjera të veprimtarisë së subjektit vendor.
"Në datë 14 qershor 2010 Prefektura e Tiranës i ka nisur një letër bashkisë së Tiranës, ku ka kërkuar të bëjë një audit në lidhje me fondin e veçantë të Bashkisë, por përgjigja e saj ka qenë negative, prandaj Prefektura kërkon nga qeveria dhe ministria e Financave bllokimin e buxhetit të bashkisë deri sa të bëhet auditi për fondin e veçantë, ashtu siç e kërkon ligji", tha Prefekti Kruja./s.s./