Presidenti Topi Niset Drejt Turqisë Për Të Marrë Pjesë Në Dy Samitet E Stambollit
TIRANË, 22 Qershor/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar, u nis sot për një vizitë treditore në Republikën e Turqisë, ku do të marrë pjesë në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe në Samitin mbi Korridoret Kulturore "Muzika si një metaforë e dialogut kulturor", që do të mbahen në Stamboll.
Sipas njoftimit zyrtar nga Presidenca, pas mbërritjes në vendin mik, Presidenti Topi do të zhvillojë një takim me homologun turk, Abdullah Gyl, ku temë qendrore e bisedimeve do të jetë forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë, situata në rajonin ballkanik dhe përmbushja e aspiratave integruese të dy popujve për në Bashkimin Evropian.
Gjatë ditës së dytë të qëndrimit në Turqi, Presidenti Topi, në krye të delegacionit zyrtar, ku është i pranishëm dhe zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, do të marrë pjesë në dy aktivitete të rëndësishme që do të zhvillohen në Stamboll; në Samitin e SEECP-t, ku do të ketë diskutime dhe konferencë të përbashkët për shtyp të krerëve të shteteve pjesëmarrëse mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe në Takimin e 8-të të Forumit të Korridoreve Kulturore të Samitit të Kryetarëve të Shteteve të Evropës Juglindore, me temë: 'Muzika, si metaforë e dialogut kulturor', gjatë të cilit Kreu i Shtetit shqiptar do të mbajë një fjalë përshëndetëse mbi vlerat kulturore dhe trashëgiminë e lashtë shpirtërore e muzikore shqiptare e të vendeve të rajonit.
Në këto Samite do të jenë të pranishëm kryetarë shtetesh, ministra të vendeve nga Evropa Juglindore, drejtues të UNESCO-s, akademikë, personalitete të artit e të muzikës. Kreu i Shtetit shqiptar pritet të ketë edhe një takim me Komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fyle./a.s/s.s./