English

Presidenti Topi: Vizita E Bubkës, Promovim I Vlerave Të Vërteta Sportive

TIRANË, 22 Qershor/ ATSH / - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë, ish-kampionin botëror ukrainas të kërcimit me shkop dhe Zëvendëspresidentin e Federatës Botërore të Atletikës, Sergei Bubka, i cili po viziton zyrtarisht vendin tonë për të parë gjendjen e Shqipërisë në kuadër të organizimit të Kampionatit Botëror të vrapimit në mal që pritet të zhvillohet në fund të shtatorit 2011. Në takim ishin të pranishëm edhe Gjergj Ruli, President i Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi, Sekretar i Përgjithshëm i FSHA-së dhe Stavri Bello, Sekretar i Përgjithshëm i KOKSH-it. Presidenti Topi shprehu kënaqësinë për takimin e veçantë me një atlet të jashtëzakonshëm dhe kampion të vërtetë e shumë të suksesshëm dhe vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Federatës Botërore të Atletikës për atletët shqiptarë në aktivitete të rëndësishme sportive, siç do të jetë ai i zhvillimit në vendin tonë të Kampionatit Botëror të Vrapimit Malor. Kreu i shtetit vuri në dukje se sporti ka një mision të jashtëzakonshëm, sidomos për fëmijët dhe brezin e ri dhe vlerësoi rolin prej një ambasadori të vërtetë të kampionit të kërcimit me shkop të Sergei Bubka në promovimin e vlerave të vërteta sportive dhe njerëzore kudo në botë dhe në Shqipëri. Presidenti Topi, duke shprehur dhe mbështetjen personale dhe institucionale, theksoi se "në sport një fitore e merituar, rezultatet maksimale dhe sukseset arrihen vetëm nëpërmjet një vullneti i mirë, dëshire dhe pasioni për sportin, si në çdo fushë tjetër të jetës". Zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Atletikës, Sergei Bubka u shpreh i nderuar për këtë takim dhe nëvizoi gatishmërinë personale dhe të Federatës për të bërë përpjekje maksimale në drejtim të zhvillimit cilësor të sportit shqiptar të atletikës dhe për të mbështetur fuqimisht afirmimin e atletëve të rinj e të talentuar shqiptarë në arenën ndërkombëtare./gj.m//n.m/
KOMENTE