English

Privatizimi i Albpetrol, “Patton Boggs Llp” zgjidhet si konsulent ndërkombëtar

Tiranë, 22 Qershor, NOA – Kompania “Patton Boggs Llp” është caktuar të jetë konsulenti ndërkombëtar i qeverisë në procesin e privatizimit të Albpetrol, ku për një periudhë 6-mujore përcaktohet që të përfundojë procesi i vlerësimit të aseteve të kompanisë së njohur të naftës në vend.

Lajmi është bërë me dijeni nga vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i cili priti sot në një takim përfaqësues të “Patton Boggs Llp”, me të cilët ka nënshkruar edhe kontratën për konsulencën financiare në këtë proces.

Ai theksoi faktin se në kontratë përcaktohet një afat prej gjashtë muajsh, gjatë të cilit kompania “Patton Boggs Llp” duhet të përfundojë procesin e vlerësimit të kompanisë Albpetrol dhe marrjen e vendimit për mënyrën e privatizimit.

“Patton Boggs Llp” ka përgjegjësinë e marketingut ndërkombëtar në procesin e privatizimit të kompanisë shtetërore të prodhimit të naftës, Albpetrol, ndërkohë që kjo kompani ka eksperiencë të mjaftueshme në sektorin hidrokarbur, pasi ka kryer konsulentin ndërkombëtar edhe për privatizimin e ARMO”, theksoi ai.

Sipas tij, kjo kompani studio amerikane, e njeh Shqipërinë dhe ka qenë konsulent ndërkombëtar edhe për privatizimin e kompanisë ARMO.

“Është një kompani me eksperiencë të mjaftueshme për sektorin hidrokarbur, pra të naftës dhe të gazit. Kontrata parashikon shumë detyrime, por ka një afat, një periudhë gjashtë mujore, kur duhet të përfundojë i gjithë procesi i vlerësimit të kompanisë, marrja e vendimit për mënyrën e privatizimit, cilat asete do të privatizohen dhe në çfarë mënyre do të privatizohen, marketing për privatizimin. Pra, kompania do të ketë edhe përgjegjësinë për të ftuar kompani nga e gjithë bota për të marrë pjesë në privatizimin e Albpetrol”, u shpreh Prifti lidhur me një fakt të tillë.

Duke përfunduar se “tashmë kemi një afat, për gjashtë muaj duhet të përfundojë puna dhe kompania duhet të dalë në një tender ndërkombëtar për shitje, për privatizim apo për ndonjë formë tjetër koncensionare”.

n.e/NOA

KOMENTE