Prokuroria Çon Në Gjyq 4 Persona, Të Akuzuar Për Trafik Narkotikësh
TIRANË, 22 Qershor/ATSH/ - Prokuroria e Krimeve të Rënda ka çuar si të pandehur në gjyq katër persona, të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike.
Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda konfirmuan sot "përfundimin e hetimeve në ngarkim të shtetasve: Fatos Gjura, Ermal Gjura, Oltion Gjura si dhe Feliks Rusto, të akuzuar për veprat penale të "trafikut të lëndëve narkotike, e mbetur në tentativë" dhe "prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike".
"Çështja penale ndaj tyre, u regjistrua në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila pritet të nisë së shpejti procesin gjyqësor", thanë burimet.
Shtetasit e lartëpërmendur, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë përfshirë në një episod të trafikut të heroinës, zbuluar vitin e kaluar nga organet e rendit. Ata mendohet se janë autorë në tentivën për të trafikuar një sasi prej rreth 8 kilogram lëndë narkotike e llojit heroinë, e bllokuar në muajin maj të vitit 2009 në Librazhd në një operacion të Policisë së Shtetit.
Sasia e drogës së bllokuar mendohet se ka hyrë nga Maqedonia dhe ishte destinuar për t'u trafikuar në Greqi.
Gjatë këtij viti, Gjykata e Krimeve të Rënda, ka hapur disa procese gjyqësore kundër personave, të cilët akuzohen për trafik të lëndëve narkotike./a.m//n.m/