Ps: Internacionalja Socialiste Rikonfirmoi Mbështetjen Për Transparencën
TIRANË, 22 Qershor/ATSH/.- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë qëndrimit në Nju Jork në kuadër të pjesëmarrjes në Këshillin e Internacionales Socialiste (IS), u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Internacionales Socialiste, Luis Ayala.
Sipas një njoftimi të sotëm për shtyp nga selia e PS-së, sekretari Ayala, duke folur për mediat shqiptare shprehu keqardhje për mungesën e vullnetit për kompromis, që vërehet nga ana e qeverisë. Ayala e cilësoi "të përgjegjshëm dhe të matur, qëndrimin e liderit të opozitës, pasi ka pranuar kompromisin".
"Ne kishim pritshmëri, kur ishim në Tiranë, për zgjidhjen e këtij kompromisi, që nisma e parlamentit europian, e dy kryetarëve, do të sillte rezultat. Por, për këtë kërkohet një angazhim real për të gjetur zgjidhjet për Shqipërinë. Mendoj se Shqipëria ka nevojë për një qeverisje demokratike, me institucione politike të forta për të përballuar sfidat e Europës", u shpreh Ayla.
Gjatë punimeve të këtij Këshilli, Rama u shpreh se edhe në këtë forum të lartë të progresistëve të mbarë botës u rikonfirmua mbështetja për PS-në në përpjekjen e saj për transparencë.
"Këshilli i Internacionales Socialiste rikonfirmoi qëndrimin e Komitetit të Europës Juglindore, duke e mbështetur fuqishëm PS-në dhe gjithë opozitën shqiptare në përpjekjen e saj për transparencë", tha Rama.
"Një vend, që nuk mundet dot ta bëjë këtë duke qenë i privuar nga e drejta e transparencës dhe për më tepër pastaj e transparencës së votës dhe procesit zgjedhor, që është themeli i të gjitha proceseve të tjera", u shpreh kreu i PS-së.
Në takimin e Internacionales Socialiste në Nju Jork kryetari Rama shoqërohet nga Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë Arta Dade dhe nga Sekretari i Grupit të deputetëve, Taulant Balla.
/a.s/k.sh/