English

Qafë-Kërrabë, bie në humnerë makina, vdesin dy maqedonas

Qafë-Kërrabë, 22 qershor, NOA – Dy qytetarë maqedonas kanë gjetur vdekjen në një aksident të rëndë në rrugën Tiranë-Elbasan, pranë zonës së Qafë-Kërrabës.

Sipas policisë së Elbasanit, në ndihmë të të cilës kanë shkuar edhe ekspertë nga Tirana, një automjet Fuoristradë, i tipit Land-Rover, me targa të huaja amerikane, PHOMAS 522 MGH, ka humbur kontrollin si pasojë e reshjeve dhe ka dalë nga rruga duke rënë në greminë.

Drejtuesi i automjetit, Sasha Stefanovski, ka humbur kontrollin e makinës nga shpejtësia duke gjetur edhe vdekjen, bashkë me njërin prej pasagjerëve, që deri tani rezulton të jetë vjehrra e tij, Vaso Stefanovski.

Tre pasagjerët e tjerë ishin bashkëshortja e drejtuesit të mjetit, M.M, 31 Vjeç, nga Struga; fëmija i saj 13 vjeçar M.S si dhe një shtetas tjetër maqedonas F.S.

Sipas policisë tre pasagjerët e shpëtuar janë dërguar në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit.

Policia po heton tashmë në vendngjarje ku mendohet se edhe shpejtësia tej masave të lejuara ka sjellë për rrjedhojë humbjen e kontrollit të Fuoristradës, duke i marrë jetën dy vetëve në Qafë Kërrabë.

mit/NOA

KOMENTE