English

Rama: Zgjedhjet lokale? Jo pa u përmbushur kushtet për zgjedhje të ndershme

Nju Jork, 22 Qershor, NOA – “Ne nuk do t’i shmangemi asnjë sfide, por këmbëngul që pa u plotësuar kushtet për zgjedhje të ndershme nuk do të ketë zgjedhje, por ballafaqim demokratik që do të përshkallëzohet edhe më tej”.

Me këto fjalë i është përgjigjur kryetari socialist Edi Rama, pyetjes së “Zërit të Amerikës”, gjatë një interviste që është duke dhënë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Nju Jorku, në kuadrin e punimeve të Internacionales Socialiste.

Sipas tij, kryeministri Berisha dhe mazhoranca në tërësi “do ta ketë përballë opozitën në këtë betejë, të cilën do ta çojë përpara me fuqi të shtuar edhe nga mbështetja ndërkombëtare për kauzën e transparencës së zgjedhjeve”.

“Nuk do tërhiqemi nga rruga jonë nëse transparenca do të mohohet dhe nëse do të mbetet në fuqi një aksion i pashkruara që pavarësisht çfarë thotë ligji, në Shqipëri asgjë nuk zbatohet”, tha më pas ai.

Duke shtuar se “Partia Socialiste është e lirë të zgjedhë çdo mjet të nevojshëm, brenda vizionit të saj demokratik dhe evropian, sipas të cilit përjashtohet çdo formë dhune, por jo formë e protestës demokratike”, duke nënkuptuar se socialistët do të vijojnë me protesta.

“Eshtë e sigurt se Partia Socialiste nuk do të bëhet kurrë fasadë e një parlamenti që është ilegjitim. Edhe pse ka një përpjekje të përbindshme për të hequr fshehtësinë e votës dhe përmes votës së hapur, të gjunjëzohet edhe ajo pjesë e pushtetit gjyqësor që nuk është nën kontrollin e këtij pushtetit të korruptuar”, tha më tej ai, duke iu referuar edhe mendimeve për rregulloren e Kuvendit.

n.e/NOA

KOMENTE