Reportazh/ Kukës: Zapodi, Një Muaj Pas Humbjes Së Bleonës
KUKËS, 22 qershor/ATSH-R.Hoxha/ - Në heshtje udhëtojmë drejt Zapodit, fshatit që prej një muaji është vënë në qendër të vemendjes së opinionit, të medias dhe të interpolit. Sot mbushet një muaj nga zhdukja e 6-vjeçares Bleona Mata.
"Shkojmë, por për çfarë?" thotë Bardhyli, një prej punonjësve të policisë. "Zonën e kemi mbajtur vazhdimisht nën mbikqyrje, por s'kemi gjetur asnjë gjurmë. Sikur ishte një gjilpërë ka humbur." Tronditja e makinës në rrugën tërë gropa edhe fjalët i nxjerr copa-copa.
Fillimi i ngjarjes
Alarmi i humbjes së saj u dha në 22 maj, ora 17,30. "Si fëmijë kishte dëshirë të shkonte në kullotë me hallën e kushërirat e saj", nis tregimin Zeneli, gjyshi, me profesion mësues.
"Ishte hera e parë që u vihej pas vajzave. Askujt nuk i shkonte ndërmend se çfarë do të ndodhte më pas", thotë me lot në sy Zeneli.
Bleona e vogël e kishte herën e parë që dilte në kullotë. Jo se ia kërkoi kush. Thjesh nga dëshira fëminore, iu vu pas hallës së saj Alketës. Në mbrëmje, halla e la për të ngrënë bukë për pak minuta, sa të mblidhte delet, për t'i çuar në shtëpi, por kur u kthye nuk gjeti asgjë, veç xhaketës ku kishte lënë të ulur Bleonën.
Dhe alarmi nisi të shfaqej nëpër banorët e paktë të fshatit. U lajmërua edhe policia, e cila nisi kërkimet me qen, por pa asnjë rezultat.
Sot në fshat të gjithë heshtin për këtë ngjarje. "Çfarë të themi pas një muaji, kemi frikë edhe për fëmijët tanë", thotë Feni Mataj. "Për 4 ditë kemi kërkuar pa ndërprerje të gjitha pyjet afër fshatit të Zapodit", tregon Elham Hoxha, mësues në fshatin Orgjost.
Ndërsa hetimet për 3 javë u shtrinë edhe në Kosovë, Maqedoni, ndërsa Interpoli edhe në Itali e më gjërë.
Ç'thonë të afërmit dhe hetimet
Prej dy javësh, ngjarja është nën kontrollin e krimeve të rënda, që, megjithatë, nuk kanë nxjerrë ndonjë rezultat konkret. Policia ka vënë një shpërblim 3 milionë lekë për këdo që jep informatë të saktë, kundrejt ruajtjes së anonimatit. 3 nga 5 vajzat që kanë qenë të pranishme atë ditë në kullotë, përfshirë edhe hallën, janë pyetur e ripyetur në Kukës e në Tiranë. Asnjëra prej tyre nuk ka deponuar ndonjë gjë të rëndësishme për hetimet.
Sipas të afërmve të Bleonës, shoqet e saj duhet të dinë diçka.
"Konflikt nuk kam me njeri, ato vajzat duhet të dinë gjë," thotë gjyshi i Bleonës.
"Dyshoj se ato 4 vajzat që kanë qenë atë ditë në kullotë duhet të dinë diçka, por pse nuk tregojnë nuk e di," thotë dhe Zamiri, i ati i saj. Ndërsa Bukuria, e ëma e Bleonës është e bindur se "vajzat dinë, por nuk tregojnë se pse, hajde merre vesh".
Fshati Zapod sot
Veç dhimbjes, humbja e Bleonës ka lënë një hije frike në fshat.
"Në kullotë më nuk i nxjerrim vetë fëmijët, pasi kemi frikë", thotë kryeplaku i fshatit, Safet Mata. Safeti tregon se, bagëtinë e nxjerrin në kullotë fëmijët, por gjithnjë të shoqëruar nga prindërit.
Frika është shtrirë edhe në fshatrat e tjerë. "Kemi frikë t'i lëmë fëmijët vetëm në kullotë", thotë Elhami nga Orgjosti. Banorët ndjehën të tjetërsuar nga kjo ngjarje.
"Çfarë të bëjmë, na dhëmb shpirti për Bleonën, por duhet të jetojmë për fëmijët tanë", thotë Selman Mata.
Ndërsa gjysh Zeneli, mes dhimbjes, nuk harron të falenderojë policinë, që "ka bërë çmos për ta gjetur, tani në dorë të zotit, se shpresën nuk e kemi humbur".
Pas ngjarjes, inspektorët e policisë janë më të shumtë se zakonisht në Gorë, megjithëse ende nuk kanë gjetur ndonjë lloj gjurme, sado të vogël./ch/