English

Sergei Bubka: Shqipëria, Vend Ideal Për Organizimin E Kampionatit Botëror Të Vrapimit Malor

TIRANË, 22 Qershor/ ATSH-Gjergji Mima / - Zv/presidenti i Federatës Botërore të Atletikës (IAAF) dhe rekordmeni i botës në kërcim së larti, ukrainasi Sergei Bubka, vlerësoi sot se Shqipëria është një vend ideal për organizimin e Kampionatit Botëror të Vrapimit Malor. Në një konferencë për shtyp, në zyrat e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, legjenda e kërcimit me shkop, Sergey Bubka, theksoi se "vizitia ime, megjithëse e shkurtër, ishte mjaft e frytshme". Bubka bëri një përmbledhje të diskutimeve të tij në takimet me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e TKRS, Ferdinand Xhaferaj. "Me presidentin Topi diskutuam për organizimin e Kampionatit Botëror të Vrapimit Malor në fund të shtatorit 2011, ku Shqipëria është një nga kandidatët për të zhvilluar këtë aktivitet", tha Bubka, duke shtuar se në takim u diskutua edhe mbi angazhimin e të rinjve në sport. Ndërkohë 35 herë rekordmeni i botës në kërcimin me shkop, theksoi se në takimin me Kryeministrin Berisha mori sigurinë për mbështetje në organizimin e kampionatit Botëror të "Vrapimit Malor" në 2011. "Pashë që Shqipëria është një vend malor dhe është një ide e mirë zhvillimi i këtij aktiviteti pikërisht këtu:, u shpreh Bubka, i cili në orën 17:00 do të vizitojë malin e Dajtit, ku pritet të zhvillohet kampionatit Botëror i "Vrapimit Malor" në 2011. Sergei Bubka, legjenda e sportit të atletikës nga Ukraina, mbajtës i titullit kampion bote në kërcimin me shkop për vitet 1983-1999, rekordmen botëror për 35 herë, pas largimit nga sporti aktiv, ka një karrierë të gjatë në politikë dhe biznes. Ai ka qenë pjesë e Parlamentit të Ukrainës në vitet 2002-2006, pjesë e Kabinetit të Ministrave të Ukrainës në vitet 2002-2005 dhe së fundi, është Këshilltar për Sportet i Presidentit të Ukrainës./s.s./
KOMENTE