Shkodër: "Futbollisti I Vogël", Kënga Fituese E Festivalit Të Fëmijëve
SHKODËR, 22 Qershor/ATSH-G. Marku/ - Kënga për futbollin, me tekst dhe muzikë të kompozitorit Jetmir Barbullushi, interpretuar nga dueti Tedi Paçrami dhe Riad Bashi "Futbollisti i vogël", u shpall fituese në natën e fundit të Festivalit të 48-të Kombëtar të këngës për fëmijë, dje në mbrëmje.
Në skenën e teatrit Migjeni, pritësja tradicionale e festivaleve për fëmijë, për tre netë me radhë u interpretuan 34 këngë. Sipas regjisorit Osman Mula, ecuria e festivalit "ka qenë mjaft e mirë, kjo falë dhe punës profesionale që është bërë me fëmijët në fazat përgatitore nga mësuesit e tyre të muzikës."
Krahas interpretuesve konkurues për trofeun e festivalit, emocione sollën dhe grupet e ftuara, nga Vlora, Kosova dhe Maqedonia, që u pritën me shumë interes nga të pranishmit.
Me skenografi të përgatitur nga Adnan Kastrati, e cila u konsiderua një nga më të bukurat e të gjitha festivaleve të mëparshme, spektatorët shijuan interpretimet e veçanta të fëmijëve.
Festivali u organizua nga Bashkia Shkodër, Qëndra Kulturore e Fëmijëve, Shkodër dhe RTSH, me mbështetjen e MTKRS-së, Ministrisë së Arsimit dhe nën kujdesin e Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli./ch/