Shqipëria Në Pritje Të Një Opinioni Pozitiv Për Statusin E Vendit Kandidat Në Be
- Intervistë për ATSH-në e zv/ministres së Integrimit Europian, Jorida Tabaku -
TIRANË, 22 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Shqipëria është në pritje të një opinioni pozitiv nga Bashkimi Europian për statusin e vendit kandidat brenda vjeshtës së këtij viti.
Në një intervistë për ATSH-në, zv/ministrja e Integrimit Europian, Jorida Tabaku e cilësoi si shumë pozitive deklaratën e bërë disa ditë më parë nga Komisioneri për Zgjerimin në BE Stefan Fule, sipas së cilit "Shqipëria dhe Mali i Zi do të përgatiten për të marrë opinionin gjatë vjeshtës së këtij viti".
Nisur nga fakti se Mali i Zi ndodhet pak para Shqipërisë në këtë proces nga pikëpamja kohore, zv/ministrja Tabaku u shpreh se "është një element shumë pozitiv që opinioni për vendin tonë të trajtohet njëkohësisht me Malin e Zi, që e ka marrë pyetësorin para Shqipërisë".
Lidhur me Pyetësorin e KE-së, Tabaku ndërsa tregon se KE ka dërguar në Shqipëri 9 misione faktmbledhëse për të verifikuar në terren përgjigjet e dhëna nga autoritetet shqiptare, shprehet se "edhe pse ende nuk kanë hartuar një raport përfundimtar, misionet e ekspertëve të KE-së kanë pasur një përgjigje shumë pozitive për këtë proces".
Ajo thekson se administrata shqiptare ka qenë totalisht e angazhuar për të punuar me misionet e ekspertëve. "Përgjigjet e Pyetësorit ishin hapi i parë, ndërkohë që edhe marrja e informacionit në terren nëpërmjet intervistave dhe misioneve është në vazhdimësi të pyetjeve të Pyetësorit", tha Tabaku.
Duke u ndalur te sqarimet që kërkoi KE përmes 170 pyetjeve shtesë dërguar autoriteteve shqiptare, Tabaku shpjegon se "pyetjet kishin të bënin me kriterin politik, atë ekonomik për të vazhduar me të gjithë kapitujt e detyrimeve të anëtarësimit".
Për kriterin politik, Tabaku veçon pyetjet që kishin të bënin me objektin e punës së komisioneve hetimore parlametare.
"Janë dërguar pyetje në lidhje me objektin e punës së komisioneve hetimore, detyrat që kanë komisionet hetimore parlamentare dhe mandatet e tyre. Sigurisht që këto pyetje kishin lidhje edhe me situatën politike në Shqipëri, ku ka një diskutim shumë të gjerë nëse komisioni hetimor për zgjedhjet mund të hetojë një aspekt të caktuar. Për këtë Ministria e Drejtësisë i është referuar Kushtetutës, statusit të Kuvendit dhe të gjithë dokumentave ligjore dhe ka bërë një interpretim të saktë të mandatit të komisioneve hetimore", tha Tabaku.
Lidhur me kriterin ekonomik, ajo shpjegon se "pyetjet shtesë kishin të bënin edhe me çështjet e tregut të brendshëm, apo çështje që lidhen me pjesën e financave publike".
"Janë kërkuar informacione si funksionon sistemi fiskal në Shqipëri dhe si merren vendimet, çfarë roli kanë doganat, tatimet si realizohet procesi i ç'doganimit. Në këtë drejtim edhe misionet që kanë ardhur e kanë verifikuar në terren situatën", tha Tabaku.
Menaxhimi i fondeve të BE-së, sipas Tabakut, ishte një tjetër kapitull ku u kërkuan sqarime të mëtejshme. "Na u kërkua të sqarojmë se si do të funksionojë menaxhimi i fondeve të BE-së në momentin kur do ti menaxhojmë vetë ato, pra të jemi nën sistemin e decentralizuar", tha ajo.
Tabaku tha se "përmes dhënies së opinionit, BE bën një analizë të situatës ku ndodhet Shqipëria në lidhje me arritjen e detyrimeve që ka, si dhe përcakton edhe mangësirat që mund të ketë vendi".
Pas marrjes së statusit të vendit kandidat, fillon një fazë shumë e rëndësishme për vendin që ka të bëjë me rishikimin e gjithë legjislacionit dhe përafrimin e tij me të gjithë praktikën ligjore europiane.
Faza përfundimtare e procesit të integrimit europian, është ajo e negociatave ku pala shqiptare negocion përmbushjen e objektivave të përcaktuara nga pala komunitare./n.m/