Sport-Botëror/ Grupi B, 4 Ekipe Në Garë Për Kualifikim
TIRANË, 22 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Sot zbardhen enigmat e fundit në grupin B, të Kupës së Botës, "Afrika e Jugut 2010".
Në ndeshjen e fundit, Greqia mundi të marrë 3 pikë mjaft të vlefshme, me një triumf të vështirë ndaj Nigerisë, që përfundoi me rezultatin 2-1. Por takimi më problematik për grekët është kundër argjentinasve, ku duhet patjetër të fitojnë për mos t'i thënë lamtumirë Botërorit 2010.
Për Argjentinën, përballja me helenët është mjaft komode, në një kohë kur ka siguruar kualifikimin, që në dy ndeshjet e para të Grupit B. Çelësi për formën e shkëlqyer duket se është qetësia brenda ekipit, të cilën e konfirmoi edhe trajneri Maradona me fjalët, "Gjithçka është OK".
Nigeria nisi ta shikonte kalimin në raundin e dytë, kur kryesonte 1-0 ndeshjen ndaj Greqisë, e cila e ktheu përmbys rezultatin dhe fitoi, duke e lënë pa pikë ekipin afrikan. Por ëndrra për Nigerinë nuk ka marrë fund plotësisht, pasi i duhet fitorja 1-0 ndaj Koresë së Jugut dhe ndërkohë Argjentina të mundë Greqinë, të paktën 1-0.
Statistikat tregojnë se asnjë ekip, që ka humbur dy ndeshjet e para, nuk ka arritur të kalojë raundin e parë të një Kampionati Botëror.
Koreja e Jugut shkon në këtë ndeshje me humbjen e parashikuar kundër Argjentinës dhe e përgatitur moralisht për fitoren e ndeshjes së tretë të Grupit B.
"Disa thonë se na nevojitet barazimi, por ne kërkojmë me çdo kusht ta mposhtim kundërshtarin", tha mesfushori korean Kim Jong-Uoo./n.m/