English

Sport-Botëror/ Grupi B, Argjentina Me Pikë Të Plota Në Grup, Mposht Edhe Greqinë

- Djemtë e Diego Maradonës dhuruan spektaklin e radhës përballë Greqisë -. TIRANË, 22 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Argjentina dhuroi spektaklin e radhës në Botëror duke mundur Greqinë, dhe duke fituar 2-0 me gola të Martin Demikelisit dhe Martin Palermos, duke koleksionuar kështu fitoren e tretë në po aq ndeshje, 9 pikë të plota, dhe duke nxjerrë jashtë Botërorit të Afrikës së Jugut, Greqinë, që shpresonte në një lëshim të formacionit të Diego Armando Maradonës. Argjentina sulmoi gjatë gjithë kohës, por gjeti një mbrojtje të ngjeshur të Greqisë. Diego Milito nuk arriti të lerë gjurmën e tij, pavarësisht se sulmuesi i Interit pati disa raste. Golin e parë për Argjentinën e shënoi Martin Demikelis në minutën e 77-të. Lionel Mesi edhe pse nuk ka shënuar ende në këtë botëror, ndihmoi skuadrën e tij teksa goditi fuqishëm shtyllën disa minuta përpara përfundimit të ndeshjes. Veterani argjentinas, Martin Palermo, njeriu që e çoi vendin e tij në Afrikën e Jugut shënoi minutën e 88-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar. Argjentina shfaqet kështu si fuqia më e madhe futbollistike deri tani në këtë botëror. Në fazën e 1/16-ave Argjentina do të luajë përballë meksikës që u kualifikua si skuadra e dytë në grupi A. Grupi B Greqi - Argjentinë 0-2 Shënues: Demikelis 77', Palermo 88' Greqia (4-1-4-1): Tzorvas; Kyrgiakos, Papadopoulos, Vyntra, Torosidis (Patsatzoglou); Moras; Tziolis, Papastathopoulos, Karagounis (46' Spiropoulous), Katsouranis (Ninis); Samaras. Trajner: Oto Rehhagel Argjentina (4-3-1-2): Romero; Otamendi, Demichelis, Burdisso, C.Rodriguez; M.Rodriguez (63' Di Maria), Bolatti, Veron; Messi; Aguero (Pastore), Milito (Palermo). Trajner: Diego Armando Maradona
KOMENTE