Sport-Futboll/ Sherif Tiraspol, Kampionia "Shumëkombëshe" E Moldavisë
- Dinamo dështoi në edicionin 2008-2009, kur me argjentinasin Marcelo Havier Zuleta në bankinë u eliminua nga kampionia e Bosnjës, Modrica -.
TIRANË, 22 Qershor/ ATSH - Gjergji Mima/ - Dinamo peshkoi kampionen e Moldavisë, Sherif Tiraspol në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve, në një short ku merrnin pjesë 36 skuadra kampione.
Në turin e parë eliminator (29/30 qershor dhe 7/7 korrik) marrin pjesë vetëm katër ekipe të ndara në dy çifte. Në turin e dytë, ku merr pjesë edhe kampionia e Shqipërisë, Dinamo, janë 34 çifte skuadrash.
Dinamo ka arritur të shmangë emra të frikshëm si Partizani i Beogradit, Dinamon e Zagrebit, Hapoelin e Tel-Avivit dhe Omononian e Nikosias.
Ndeshja e parë do të luhet në Moldavi (13/14 korrik), ndërsa ajo e kthimit në Tiranë (20/21 korrik).
Luis Manuel Blanko, trajneri argjentinas i kampionëve në fuqi të Shqipërisë, Dinamos, deklaroi në prezantimin e tij zyrtare se ka ardhur për të realizuar objektiva të mëdha.
Dinamo dështoi në edicionin 2008-2009, kur me argjentinasin Marcelo Havier Zuleta në bankinë u eliminua nga kampionia e Bosnjës, Modrica.
Trajneri i ri i argjentinas i Dinamos, Luis Manuel Blanko, gjatë prezantimit të tij tha se synon kalimin e tyrit të dytë eliminator të Ligës së Kampioneve.
"Dua titullin (e 19-të), Kupën e Shqipërisë (Dinamos i mungon nga viti 2003) dhe kualifikim në Ligën e Kampionëve, duke kaluar fillimisht turin e dytë, e pastaj të synojmë edhe më tepër"
Sherif Tiraspool është një prej skuadrave më të njohura në Moldavi. Merr pjesë rregullisht në Ligën e Kampioneve nga edicioni 2001-2002, ku vazhdimisht ka kaluar turin e parë.
Në edicionin e fundit të Ligës së Kampioneve, Sherif Tiraspol kaloi në turin e dyte finlandezët e Inter Turkut, në të tretin eliminoi Sllavian e Pragës dhe në play-off u eliminua nga Olimpiakosi i Pireut, kundërshtarit aktual të Besës në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës.
Sherif Tiraspol ka një skuadër të përzierë, ku përveç futbollistëve moldavë bëjnë pjesë serbë, gjeorgjianë, rusë, rumunë, ukrainas, malazezë, afrikanë nga Burkina Faso, bullgarë, madje edhe një brazilian.
Në aventurën e fundit në Europë, në Ligën e Europës, Dinamo u eliminua në turin e parë eliminator të Ligës së Europës nga finlandezët e FC Lahti (humbi 4-1 në Finlandë, fitoi 2-0 në Tiranë).
Dinamo ka kaluar për herë të fundit një tur në Ligën e Kampioneve në sezonin 2002-2003. Dinamo fitoi në transfertë 2-3 me FK Kaunas në Lituani (17 korrik 2002: golat Ahmataj 55', Pisha 56', Qorri 76' )dhe barazoi 0-0 në Tiranë (24.07.2002). Në turin e dytë Dinamo u eliminua nga Brondby e Danimarkës (dy humbje 0-1, 0-4)./n.m/