English

Stina E Verës-Të Moshuarit, Më Te Rrezikuar Nga Ndikimi I Temperaturave Të Larta

TIRANË, 22 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Me ardhjen e stinës së verës, e shoqëruar nga temperaturat e larta, shpesh të rënda për shëndetin sidomos tek moshat e treta, mjekët japin këshilla për të gjithë të moshuarit për t'u mbrojtur nga ndikimi i tyre në shëndet. "Temperaturat e larta shkaktojnë tek këta persona probleme shëndetësore si pasojë e ndryshimit të sistemit të çrregullimit të temperaturës trupore", pohojnë mjekët. Kapaciteti i rregullimit të temperaturës së një individi është i lidhur ngushtësisht me faktorë të ndryshëm, siç është edhe mosha, gjendja shëndetësore, sëmundjet kronike, përdorimi i disa ilaçeve, drogës dhe alkoolit. Ndërkohë, kapaciteti i rregullimit të temperaturës tek të moshuarit është i ulur, djersisin pak dhe ndjenjën e etjes e kanë te ulur. "Të moshuarit shpesh nuk janë në gjendje të kuptojnë domosdoshmërinë e mbrojtjes nga të nxehtit, ndaj mund të paraqesin probleme e kërkojnë kujdes më të veçantë, për shkak se dhe forcat mbrojtëse të tyre janë të ulura", sqarojnë mjekët. - Ndikimi tek të moshuarit - Të moshuarit mund të goditen nga nxehtësia, nga dielli apo të rëndohen sëmundjet kronike. Sipas mjekëve, goditja nga nxehtësia takohet në vende të mbyllura, shtëpi, autobus, etj dhe shkaktohet nga një temperaturë e lartë, lagështi e lartë, mungesë ventilimi, ndaj të cilave organizmi nuk arrin të adaptohet. Ajo jep temperaturë të lartë të trupit mbi 38,5°C, gojë të thatë, tension të ulët, djersë të paktë, puls të çrregullt, çrregullim të gjumit, lodhje, mosorientim, marrje mendsh, dhimbje koke, të përziera e të vjella. Goditja nga dielli ndodh si pasojë e ekspozimit të trupit të të moshuarit ndaj një të ngrohti shumë të madh, siç është ekspozimi nën rrezet e diellit në verë, ndërsa jep të njëjtat shenja si edhe ajo nga nxehtësia, por në gjendje më serioze deri në humbje të vetëdijes, apo ndalim të frymëmarrjes. "Ajo që duhet bërë është të vendoset menjëherë në një vend me hije", shprehen mjekët. Temperaturat e larta mund të bëhet shkak për rëndimin e sëmundjeve kronike, pasi vapa ndikon në zgjerimin e enëve të gjakut, humbjen e kripërave minerale, vështirësimin e frymëmarrjes. Sëmundjet kronike, që mund të rëndohen janë hipertensioni, sëmundje ishemike të zemrës, të arterieve koronare, të enëve të gjakut, aritmi, diabetit, sëmundje respiratore. "Nëse i moshuari vuan nga një sëmundje kronike si hipertensioni dhe mjekohet me ilaçe për të, duhet te kihet kujdes, pasi vapa mund të ulë tensionin, ndaj duhen rregulluar dozat e tyre dhe duhet kontroll i rregullt tek mjeku", nënvizojnë mjekët. Sipas tyre, individët me sëmundje të zemrës duhet të tregohen të kujdesshëm, pasi mund të shfaqen ndërlikime serioze për shëndetin e tyre, e po kështu duhet të kenë kujdes edhe nga ilaçet që përdorin. "Të sëmurët nga diabeti duhet të kenë kujdes nga djegiet e diellit, pasi mund të shkaktojnë plagë, të cilat mezi mbyllen", thonë më tej mjekët. Por, kujdes i veçantë duhet treguar dhe me përdorimin e disa ilaçeve, të cilët në mot të nxehtë mund të kenë efekte negative. Kështu, diaretikët shtojnë dehidrimin e tyre, nitritet apo zgjeruesit enëve të gjakut, ose antidepresivët, neuroleptikët, ndikojnë në termorregullim. Mjekët pohojnë se "të sëmurët kronikë mbi të gjitha duhet të njohin mirë medikamentet që përdorin dhe për çdo shqetësim të ri të konsultohen me mjekun e tyre". E në rast se të moshuarit duan të shkojnë me pushime por vuajnë nga sëmundje kronike apo marrin ilaçe, duhet të konsultohen me mjekun përpara se të shkojnë me pushime. - Këshillat për të moshuarit - "Për të shmangur problemet gjatë stinës së verës, të moshuarit duhet të mbajnë dhomën ku banojnë sa më të freskët të jetë e mundur. Dritaret duhen mbajtur mbyllur gjatë ditës, ndërsa dhomat duhet të freskohen në mëngjes e darkë, por dhe të evitojnë korentet e mundshme, daljet në diell në orët e nxehta (11.00-17.00)", këshillojnë mjekët. Ata vënë theksin tek reduktimi i sforcove fizike në orët më të nxehta të ditës dhe mbajtja e kapeles apo çadrës, në raste të daljes në rrugë, mbajtja e rrobave të gjëra, të lehta, me ngjyra të çelura (mundësisht prej pambuku). Sa më shumë lëngje, ose ujë në mënyrë të mjaftueshme (1.5-2 litra në ditë), moskosumimi i pijeve alkoolike, lëngjeve me shumë sheqer apo kafeinë, përdorimi i ushqimeve të lehta, por dhe freskimi herë pas here me ujë të freskët duke bërë dush, ose duke u lagur me peceta për të ulur temperaturën e trupit, në krah, qafë, ballë, janp të tjera këshilla që vijnë nga mjekët, të cilët ngulmojnë për kontrollin dhe këshillimin e vazhdueshëm me mjekun e familjes, ose specialistin. /a.ke/
KOMENTE